Sport

Një hap larg Formula 1, Lirim Zendeli rrëfen jetën me 330 km/h

Pasi bëri hapin e madh dhe garoi në Formula 2, problemet financiare ndërprenë në mes sezonin e Lirim Zendelit. 22-vjeçari u detyrua të tërhiqet nga edicioni, por shpreson të rikthehet shpejt, pasi, siç thotë, është shumë pranë marrjes së superlincecës, që do t’i mundësojë garimin në Formula 1.

“Vetëm talenti nuk mjafton, duhet edhe financimi”, thotë Zendeli në një intervistë ekskluzive me A2 CNN. “Babai im nuk e ka ditur sa i shtrenjtë është ky sport, sepse nuk e di a do ta kishim nisur”.

Nga Go-kart te Formula 2, rrugëtimi i Zendelit ishte si një ëndërr. “Ishim të parët shqiptarë në këto nivele në sportet motorike. Është diçka shumë e madhe, ëndrra ime është ta vazhdoj. Është hera e parë që kemi pasur kaq shumë probleme me financimet, nuk kemi investime mjaftueshëm. Kjo sjell mungesën e rezultateve dhe kështu vijon, mungojnë edhe sponsorët”.

Së fundmi, grupimi i Tifozave Kuqezi ka ndërmarrë një nismë për të ndihmuar financiarisht Zendelin, që të sigurojë fondet e mjaftueshme për të qenë sezonin e ardhshëm në Formula 2. “I falënderoj sepse është grupimi më i madh i shqiptarëve”, thotë Zendeli. “Flitet për shuma tepër të larta dhe së pari, qëllimi i kësaj fushate ishte që çdo shqiptar, sidomos biznesmenët që kanë mundësi, të na ndihmonin”.

Lexo më shumë  Renditja e FIFA-s/ Arritje historike për Kosovën, Shqipëria qëndron në vendnumëro

Një sezon në Formula 2 kushton, sidomos nëse synimi është titulli. Vetëm kaska, tregon Zendeli, kushton 9000 euro. Të mbron jetën, edhe pse e tija, e personalizuar me personazhin Iron Man, ka një krisje, të marrë në një garë në Rusi, kur një gur e goditi në kokë teksa po merrte kthesën me 250 km/h. “Mund të garosh edhe me 1,2 milionë euro, por nuk mund ta fitosh kampionatin. Për të fituar kampionatin duhen 1,8 – 2 milionë euro, ose më shumë”, tregon Zendeli. “Është procedurë shumë e gjatë për të mbledhur pikët e superlicenës në F1, nëse nuk garon humbet edhe pikët. Prandaj po mundohemi shumë që të garojmë, sepse pikët janë me shumë rëndësi, pasi nuk jam shumë larg superlicencës”.

Në Formula 2, garohet me 330 km/h. “Në ato shpejtësi duhet të kesh mirë pikat e fiksuara në rrugë. Duhet të dish ku do të frenosh. Ne jemi si në një tunel. Jemi shumë si robot. Talenti ndihmon deri diku, por në fund ka më shumë rëndësi, skuadra, gjithë kombinimi, sesa talenti. Makina mund të bëjë diferencën. Kjo është një luftë jo veç piloti me pilot, por edhe inxhinieri me inxhinier”.

Lexo më shumë  Renditja e FIFA-s/ Arritje historike për Kosovën, Shqipëria qëndron në vendnumëro

Preferon shpejtësinë, dhe jo teknikën. Pistat më të dashura për të janë SPA, Muggello e Silverstone. Idhull ka Hamilton e Michael Schumacher, ndërsa djalin e legjendës gjermane, e ka pasur shok skuadre. “Njoh edhe familjen e tij. E kemi ditur që para 10 vitesh që ai do të shkonte në Formula 1, mundësitë i ka ndryshe. Në garë kam dalë edhe para tij, por mundësitë i ka të tjera”, tregon Zendeli.

Deri tani, piloti shqiptar, i lindur në Gjermani, ka garuar me flamurin e këtij shteti. “Unë edhe me flamurin gjerman nuk i kam pasur të njëjtat shanse, sepse e kam emrin Lirim. Të kisha pasur flamur tjetër, nuk do të arrija as në Formula 4. Ka shumë kategori ku është dashur licenca si shtetas gjerman”, thotë ai. Por nuk e fsheh ëndrrën, që një ditë të ngrejë flamurin shqiptar, pse jo në Formula 1. “Deri tani nuk kam pasur mundësi ta ndërroj flamurin, por jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, të më bashkëngjiten shqiptarë dhe të them se shqiptarët më sollën edhe më larg”./a2news/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *