Një deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi fiton mandatin
Shaip Kamberi, përfaqësues politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, tha se është zgjedhur deputet i Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve që u përsëritën të enjten në fshatin Tërnovc.
Kamberi e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook.
Postimi i Kamberit:
Të dashur qytetarë,
Me krejt politikën dhe veprimet penguese të (pu)shtetit, shqiptarët vendorë nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.
Kjo sot falë votuese të Tërnocit. Kjo në përgjithësi falë vullnetin të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo falë punës së palodhshme të aktivistëve dhe simpatizuesve, atyre të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës. Kjo falë përkrahjes së madhe nga kudo ku përqafohen vlerat e demokracisë liberale. Nga kudo ku flitet shqip.
Ju faleminderit të gjithëve nga zemra.
Përgjegjësitë janë të mëdha. Problemet janë të shumta. Konteksti është i vështirë.
Por me punë dhe unitet do t’ia dalim.
Zotohem se do të jem deputet i të gjithëve.
Zotohem se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve që duan të drejta dhe mirëqenie. Interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar.
Zotohem se do ta ndjek politikën e orientimeve pro-perëndimore, për paqe të qëndrueshme në rajon.
Vazhdojmë bashkë!
Për liri, për barazi, për demokraci.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën më 3 prill, por rezultatet nuk janë certifikuar ende. Kjo, për arsye të përsëritjes së votimeve në fshatin Tërnovc, si pasojë e disa parregullsive.
Në zgjedhjet e 3 prillit, shqiptarët e Luginës kanë garuar me dy lista – “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, dhe “Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi.
Në zgjedhjet e parafundit parlamentare në Serbi, në qershor të vitit 2020, partitë shqiptare kanë qenë në një koalicion dhe kanë fituar tri mandate parlamentare.
Rruga Press