Një bjellorus në bordin e Korporatës Shqipare të Investimeve (ose pak sevda ruse..)!
Nga Basir Çollaku
Valery Viljamoviç Tsepkalo, (ar)miku i dashur i Lukashenkos
Lista e bordit të Korporatës Shqiptare të Investimeve, mbyllet me një emër që nuk tingëllon shqip: Valery Tsepkalo. Në fakt ky person është natyralizuar shqiptar në 11 prill 2025 me dekret të presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Por ai është bjellorus. Me një karrierë shumë të pasur diplomatike, politike e afariste.
I sapodiplomuar në 1991 nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, në moshën 26-vjeçare emërohet menjëherë dhe direkt diplomat në Ambasadën Sovjetike në…Helsinki. Vendin më sensitiv perëndimor fqinj me BRSS…
Në 1993, Këshilltar për politikën e Jashtme i Kryetarit të Parlamentit Bjellorus.
Në 1994, në shtabin elektoral të kandidatit për president të Bjellorusisë…Aleksandër Lukashenko.
1994-1997, zv. Ministër i parë i jashtëm i Bjellorusisë.
1997-2002, Ambasador i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Bjellorusisë në SHBA.
2002-2005, Asistent i Lukashenkos për Shkencën dhe Teknologjinë.
2005-2017, themelues dhe drejtues i Hi-Tech Park të Bjellorusisë.
2015-Dekorohet nga presidenti Lukashenko me të vetmen dekoratë bjelloruse, Urdhri i Nderit.
2017-Shkarkohet nga detyra.
2018-2020-Punon në projekte hi-tech në Uzbelistan, Gjeorgji dhe Arabi Saudite.
2020-Sfidon Lukashenkon duke e rivalizuar për president të Bjellorusisë. Kandidatura e tij hidhet poshtë nga Komisioni përkatës “për mungesë të firmave të rregullta” për kandidim.
Në qeshor 2020 , nga frika e persekutimit prej Lukashenkos, zhvendoset në Rusi, pastaj në Ukrainë, Letoni, Poloni e Greqi.
Po me 2020 një biznesmen bjellorus, me origjinë turke, Sedat Igdegji, e kallëzon për korrupsion. Sipas këtij biznesmeni, ai i ka dhënë pas kërkesës së Tsepkalos, një herë 200 mijë dollarë dhe një herë tjetër 1 milionë dollarë…
Me 7 prill 2023 gjykata bjelloruse e dënon Valery Viljamoviç Tsepkalo me 17 vjet burg. “Për t’u vuajtur në një burg të sigurisë së lartë”.
Vetëvetiu lindin disa pyetje fillestare:
-Si përfundoi në Shqipëri bjellorusi Tsepkalo kur mund të vendosej në vendet ku kishte drejtuar e zbatuar projekte?
-Pse zgjodhi Shqipërinë kur si opozitar i Lukashenkos mund të kërkonte azil në BE ose në vendet ku ka qenë diplomat e ambasador, Finlandë dhe SHBA?
-Kush e propozoi dhe mbi cilat kritere për dhënien e shtetësisë shqiptare?
-Kush e propozoi dhe e emëroi anëtar bordi të Korporatës Shqiptare të Investimeve?
-A është Valery Viljamoviç Tsepkalo ideatori i DURANA të famshme për të cilën foli dhe ish-zv. Kryeministri Arben Ahmetaj?
To be continued…

Rruga Press

