Një arbëresh fiton zgjedhjet në Australi, Anthony Albanese do të jetë kryeministri i ri
Anthony Albanese ka fituar zgjedhjet federale të Australisë.
Laburistët janë në gjendje të formojnë qeverinë e pakicës ose të shumicës, që do të thotë se zoti Albanese do të jetë kryeministri i 31-të i Australisë.
Rezultati është një goditje e ashpër për Scott Morrison. Anthony Albanese shpallet kryeministri i parë i vendit nga një prejardhje jo anglo-kelte.
Ai tha se është koha që parlamenti të reflektojë “Australinë moderne”, duke përmendur gjithashtu fillimet e tij modeste si fëmijë në banesat publike.
Përveç mbiemrit, a ka Albanese prejardhje shqiptare?
Anthony Albanese është i biri i Carlo Abanese-s nga Barletta e Italisë dhe Maryanne Ellery, australiane me prejardhje irlandeze.
Qyteza Barleta shtrihet në jug të Italisë, në rajonin Apulia. Sipas faqes greke, “Greek City Times”, në Apulia jeton një komunitet i madh i arbëreshëve. Besohet se atje jetojnë rreth 100.000 arbëreshë dhe se nga ky komunitet e ka prejardhjen edhe babai i politikanit australian, që ka gjasa të mira për t’u bërë kryeministër.
Një shenjë e fuqishme për prejardhje arbëreshe është mbiemri “Albanese”, që nga italishtja në gjuhën shqipe do të thotë “shqiptar”.
Arbëreshët janë pasardhës të refugjatëve shqiptarë, të cilët janë larguar nga trojet e veta në Ballkan dhe janë vendosur në pjesët jugore të Italisë në Epokën e Mesjetës, pas pushtimit osman të një pjese të madhe të Evropës.
Rruga Press