KryesoreLajme

Nis rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur rinumërimin e të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit.

Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesi i LVV-së, në KQZ, Sami Kurteshi duke theksuar se kjo po bëhet për shkak të  problemeve teknike që janë paraqitur në sistemin digjital të KQZ-së.

Ai theksoi se me dështimin e sistemit digjital po merren ekspertët e angazhuar si dhe Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

“Problemet me shpalljen e rezultateve preliminare ishin të natyrës teknike, për shkak të dështimit të sistemit digjital. Me këtë problem tani janë duke u marrë ekspertët edhe nga Policia e Kosovës dhe prokuroria. Sidoqoftë, me gjithë këto probleme të cekura, nuk ka vend për shqetësim. Fletëvotimet, formularët e numërimit nga vendvotimet dhe materialet tjera nga vendvotimet janë të gjitha të ruajtura,” ka thënë Kurteshi.

Lexo më shumë  Protestat kundër regjimit të Ajatollahut dhe përgjigjja me dhunë/ Kallas: BE gati për sanksione të reja ndaj Iranit pas shtypjes së protestave

Ai theksoi se do të rinumërohen të gjitha kutitë nga vendvotimet.

“Tani ka filluar rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit. Do të rinumërohen të gjitha kutitë nga vendvotimet. Çdo votë do të rinumërohet për subjektet politike. Ky rinumërim, një-për-një i çdo vote, është publik, transparent, i vëzhguar nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë,” ka shtuar Kurteshi.

Lexo më shumë  Mbi 10 mijë persona të arrestuar gjatë protestave në Iran, mes tyre 169 fëmijë

Kurteshi shtoi se për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent, qytetarët që mund të identifikojnë gabime apo lëshime mund të drejtohen në KQZ me dëshmi konkrete.

Kurteshi shtoi se pas përfundimit të rinumërimit, do të fillojë verifikimi dhe numërimi i votave nga diaspora, i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

“Vullneti i Popullit, i qytetares e qytetarit, i votuesit, është i paprekshëm, i pandryshueshëm dhe i patjetërsueshëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion të shtetit! Nuk ka as vend, as arsye për shqetësim, theksojnë autoritetet”, ka shkruar Kurteshi.

YouTube player