KryesoreLajme

Nis procesi i numërimit të votave për deputetë vetëm në katër komuna

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot (e martë) po nis numërimi i votave për kandidatët për deputetë në qendra komunale të numërimit në Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Në komunat e tjera, Elezi ka thënë se po bëhen përgatitjet dhe numërimi pritet të nisë nesër.

Për herë të parë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë po bëhen në qendrat komunale të numërimit. Secila komunë ka një qendër të tillë.

“Po fillojmë me procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, të cilat janë nga vendvotimet e rregullta në 2533 vendvotime në të gjithë Kosovën. Fillimisht, procesi i numërimit në qendrat komunale të numërimit do të nisë në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh. Në komunat e tjera do të nisë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative. Pritet të nisë nesër”, ka thënë Elezi në konferencë për media.

Lexo më shumë  Kurti denoncon te Kallasi shtypjen e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës nga Serbia

Gjithashtu për herë të parë, përveç procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë, në qendrat komunale të numërimit do të bëhet verifikimi i votave për subjektet politike.

“Kjo do të heqë të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare”, ka shtuar Elezi.

Sa i përket numërimit të votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe diasporës, zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se do të bëhet në një fazë mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pasi të përfundojë numërimi në qendrat komunale të numërimit.

Lexo më shumë  Prapaskena e arrestimit/ Si i koordinuan me njëri tjetrin deklaratat Rama dhe Veliaj

“Së shpejti do të kemi të dhëna për secilën komunë se sa janë votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë ai.

YouTube player