Ngushëllime për Papën! Për ty 17 vjeçar që vare veten, nuk kemi kohë!
Shkruan Menton Kikia
Papa Françesku i nda nga jeta në moshën 88 vjeçare. Një lajm i hidhur për botën e krishterë dhe jo vetëm. Sot në rrjet vërshuan mesazhet ngushëllueso-promocionale. Kushdo politikan që kishte një foto me Papën e postoi menjëherë. Kryeministri Rama sapo kishte marrë vesh lajmin kishte ndërprerë fjalimin dhe kishte hequr kapellen me Nr 5 në shenjë respekti. Nuk ka lajme nëse edhe Berisha e hoqi kapelen me Nr 1.
Dje i dha fund jetës një 17 vjeçar në Gjirokastër. U vetëvar në shtëpi. Ai jetonte me nënën dhe dy motrat e më të vogla. Babanë e shikonte rrallë, pasi punonte si kuzhinier në një anije në Greqi, e mungnte për periudha të gjata në shtëpi. Mediat raportojnë se 17-vjeçari po kalonte një periudhë të vështirë psikologjike. Ai kishte shfaqur shenja të izolimit dhe melankolisë, megjithatë nuk ndodhej nën ndonjë trajtim të rregullt mjekësor.
Djali kishte paralajmëruar aktin tragjik duke i rrëfyer situatën disa prej shokëve më të afërt. Ndërsa në banesë janë gjetur edhe disa shënime, ku i kërkon ndjesë prindërve, mësuesve, psikologes që e ka trajtuar dhe miqve për shqetësimet që mendonte se kishte shkaktuar.
Ngjarja e rëndë vjen 2 muaj pasi një baskëmoshatare e tij në të njëjtën shkollë, u vetevra në të njëjtën mënyrë.
Askush nuk e hoqi kapelen e as e ndaloi fjalimin për atë djale. Askush nuk i dërgoi një mesazh familjes së të miturit. Askush nuk foli një fjalë për problemet sociale me të cilat përballet gjenerata e femijëve dhe adoleshentëve të sotëm. Në një shoqëri të traumatizuar, fëmijë të rritur pa prindër e me prindër që i shikojnë një herë në vit si pasojë e emigracionit, në një shoqëri ku ku ilaçet qetësuese në farmaci shiten më shumë se byrekët në furra, nuk flitet kurkund për këto probleme. Qeveria është shkëputur nga sipërfaqja e tokës me kohë dhe është në orbitë tashmë.
Prindër(ju qe keni mbetur ende ketu)!
Para se të mbushni sheshet e mitingjeve, të këndoni apo të ziheni në rrjet me njëri-tjetrin për interesat e atyre me kapele, ktheni syte nga fëmijët tuaj. Flisni e kuptoni se çfarë problemesh kanë ata e përpiquni tu qëndroni pranë.
P.S: Ky nuk eshte nje apel per politiken, por per prinderit. Ndaj jeni te lutur ta shperndani kete mesazh.
Rruga Press