Lajme

Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave për krime lufte të kryera në fshatrat e Pejës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar më 21.03.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve: R.V., M.V., të  nacionalitetit serb dhe A.Ç., të nacionalitet boshnjak, për shkak të dyshimit të bazuar se e kanë kryer veprën penale – krimi i luftës kundër popullsisë civile, në fshatin Ozdrim të Pejës.

Sipas njoftimit, nga hetimet e Prokurorisë është vërtetuar se “të pandehurit si pjesëtarë rezervë të Policisë të Stacionit Policor në Pejë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Ozdrim, komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, kanë kryer vrasje, dëbim, shkatërrim të pasurisë dhe keqtrajtim ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë, me ç ‘rast u vranë 14 civilë të nacionalitet shqiptar”.

Mirëpo, Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se të pandehurit gjenden në arrati.

“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë” – ka theksuar Prokuroria Speciale më 21.03.2025.

Lexo më shumë  Raporti 2025: Pse qytetarët e Shqipërisë janë më të palumturit në rajon dhe Kosova më e lumtura

Dy ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me dyshimin e bazuar për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Osek Hylë të komunës së Gjakovës.

Aktakuza u ngrit më 19.03.2025, ndaj të pandehurit M.I., i nacionalitetit shqiptar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë vëretuar se M.I. ka vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviqi ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Rruga Press

YouTube player