Nga Shqipëria largohen aq infermierë sa lincencohen
Në vitin 2021 janë larguar nga Shqipëria thuajse aq infermierë sa janë licencuar.
Pandemia në vitet 2019 dhe 2020 duket se frenoi largimin e infermierëve, por gjatë vitit të kaluar ky numër thuajse u trefishua.
Matilda Gremi studioi infermieri në Shqipëri, por në vitin 2019 vendosi të largohej në Gjermani.
“Gjatë periudhës që kam bërë praktikën në Shqipëri kanë qenë kushtet e punës që më bënë të zgjidhja këtë rrugë me thënë të drejtën. Nisur nga gjërat më bazike, mungesa e dorezave për të punuar, mungesa e ilaçeve”, tregon Matilda.
Sot ajo punon infermiere në urgjencën e përgjithshme të një spitali në Gjermani.
“Momenti im i parë ishte shumë ndryshe, nuk kishte lidhej fare me kushtet në Shqipëri. Kontrata ime e punës është me 38.5 orë në javë që i bie 5 ditë punë edhe dy ditë pushim.
Gjermania mbetet shteti më i kërkuar nga të rinjtë infermierë. Në Gjermani një infermier paguhet mesatarisht me 2 900 euro në muaj, në Shqipëri paga mesatare bruto është 65 700 lek. (540 euro)
Por Gjermania nuk është i vetmi shtet që po merr infermierë shqiptarë.
“Ka pasur një kërkesë të madhe të infermierëve për t’u punësuar në Itali, kërkesë në rritje ka edhe Anglia”, tregon Blerina Duka, presidente e Urdhrit të Infermierit.
Aktualisht në Shqipëri ka rreth 24 mijë infermierë, rreth 17 mijë prej tyre janë të punësuar.
Në spitalet e vendit ka edhe 262 vende të lira pune për infermierët, shifër kjo më e lartë se një vit më parë.
kjo tregon se nuk është mungesa e vendeve të punës por janë kushtet ato që detyrojnë shumë të rinj e të reja profesionistë, ta shohin të ardhmen e tyre diku jashtë.
Rruga Press