BotaKryesore

Nga Milano në malet e Sarajevës: si të pasurit evropianë paguanin për të vrarë gjatë luftës në Bosnjë

Prokuroria publike e Milanos ka hapur një dosje hetimore pas kallëzimit të bërë nga gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, i cili ka denoncuar një ngjarje tronditëse nga lufta në ish-Jugosllavi: ekzistencën e të ashtuquajturve “snajperistët e fundjavës” – persona të pasur që, mes viteve 1993 dhe 1995, paguanin për të qëlluar ndaj civilëve të Sarajevës për qejf.

Sipas kallëzimit të Gavazzenit, bëhet fjalë për një krim vullnetar vrasjeje, të rënduar nga mizoria dhe motivet e ulëta, me qëllimin për të identifikuar personat përgjegjës për masakrimin e mbi 11 mijë civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.


“E dija që nga viti 1995”

“E çuditshme është se për këtë histori e dija që në vitin 1995, kur Corriere della Sera raportoi dëshmi para Tribunalit të Përhershëm të Popujve, që zhvilloi dy sesione në Barcelonë dhe Trento,” ka deklaruar Gavazzeni.

Ai tregon se kishte planifikuar të shkruante një roman për këtë temë, por ideja mbeti pezull deri kur dokumentari “Sarajevo Safari” e riktheu në qendër të vëmendjes. Dokumentari, me dëshmi dhe pamje tronditëse, përfshin edhe historinë e një çifti që humbi fëmijën e tyre në karrocë, si dhe të një personi që mbeti i paralizuar pasi u qëllua nga një snajper.

Lexo më shumë  Pak ditë para arrestimit Mogherini takoi Ramën dhe Kumbaron/ 200 mijë euro për bursa

Denoncimi dhe hetimi në Itali

Në shkurt të këtij viti, me mbështetjen e ish-gjyqtarit Guido Salvini dhe avokatit Nicola Brigida, Gavazzeni paraqiti kallëzimin penal pranë Prokurorisë së Milanos. Hetimi është marrë në dorë nga prokurori Alessandro Gobbis dhe është besuar tek njësia speciale ROS.

Sipas shkrimtarit, personat që merrnin pjesë ishin biznesmenë dhe profesionistë të pasur nga Italia e veriut, Spanja, Franca, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara. Ata paguanin shuma të mëdha për t’u çuar në malet përreth Sarajevës, ku më pas qëllonin mbi civilë të pafajshëm.

“Ekzistonte një organizim i mirëfilltë,” thotë Gavazzeni, “që i çonte këta njerëz në pozicione të sigurta nga ku mund të qëllonin lirshëm.”

Lexo më shumë  Ukrainasit sulmojnë një port dhe një rafineri ruse

Një argëtim me çmimin e një apartamenti

Sipas Gavazzenit, pjesëmarrësit nuk ishin të paktë. “Jo disa dhjetëra, por shumë,” – thotë ai. Secili prej tyre paguante një shumë sa për të blerë një apartament tre dhomësh në zonën Piazzale Lotto të Milanos, pra vetëm njerëz shumë të pasur mund të përballonin këtë “sport vdekjeprurës”.

Këta ishin “snajperistët e fundjavës”, që punonin deri të premten, shkonin për të vrarë gjatë fundjavës dhe ktheheshin në punë të hënën, rrëfen Gavazzeni. Shumica prej tyre, sipas tij, ishin persona që dinin mirë përdorimin e armëve, sot të moshës 65 deri në 80 vjeç.

Në ditët e fundit, gazetari ka dorëzuar në Prokurori të gjitha dokumentet që zotëron, përfshirë edhe raportin e ish-kryetares së Sarajevës, Benjamina Karić, si në gjuhën origjinale, ashtu edhe në përkthim anglisht.

YouTube player