Nga festa në mort/ Sauditët dhe Artan Sako i “2T”, mirëmbajtës të rrugës ku u shua familja kuksiane
Nga BoldNews.al
Policia dyshon paraprakisht se një parakalim i gabuar dhe gurët në rrugë janë shkaqet e aksidentit fatal të ndodhur mesditën e së Hënës në Librazh, ku 3 anëtarë të një familjeje humbën jetën, ndërsa dy të tjerë u plagosën shumë rëndë.
Pesë anëtarët e familjes Keqa nga Kukësi po udhëtonin me një Benz ML drejt Korçës për një festë familjare. Por, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd u përplasën me një mjet tjetër, duke rënë nga një lartësi e madhe në ujërat e Shkumbinit.
Dëshmitarët në vendngjarje deklaruan për mediat se aksi rrugor ku ka ndodhur aksidenti fatal nuk është e mirëmbajtur, ka rënie të shpeshta në rrugë të gurëve nga skarpatet e kodrave, si edhe nuk ka barriera mbrojtëse.
Aksi Elbasan-Librazhd e më tej deri në doganën e Kapshticës, është nën mirëmbajtjen rutinore të kompanisë saudite “Rawafed Al-torok Contracting Establishment”, ku përfshihet edhe pastrimi i rrugëve nga gurët, sidomos gjatë stinës së dimrit.
Kompania saudite dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) kanë nënshkruar kontratën për mirëmbajtjen 5-vjeçare të Rajonit C, pas një procedure tenderuese të zhvilluar në fund të vitit 2017.
Kontrata do të zbatohet nga kompania Rawafed Al-torok Contracting Establishment për një gjatësi rrjeti rrugor 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro, deri në vitin 2023.
Kontratat është pjesë e projektit prej 4 komponentësh, “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate”, me një vlerë totale 65.9 milionë euro, të financuar me një kredi të Bankës Botërore.
Kompania fituese e kësaj kontrate është regjistruar në Shqipëri në vitin 2015, si degë e shoqërisë së huaj me të njëjtin emër, të regjistruar në Riad të Arabisë Saudite.
Përfaqësuesi ligjor i saj në Shqipëri është Moohialdin Hussein Saad al-Kahtani, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
Në dokumentat zyrtarë konstatohet një lidhje e ngushtë e kompanisë saudite “Rawafed ” me shoqërinë shqiptare“2T”, ku është aksioner Artan Sako, vëllai i Komandatit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako, i emëruar nga kryeministri Edi Rama sapo ai mori pushtetin, në Shtator 2013.
Në Tetor 2015, pra në kohën e regjistrimit në Shqipëri, sauditët e “Rawafed …” kanë emëruar biznesmenin Artan Sako si përfaqësues të përgjithshëm të kompanisë së tyre.
Sako autorizohej që të merrte çdo informacion në institucionet shqiptare për kompaninë “Rawafed ”.
Madje, kompania saudite e thekson se të gjithë veprimet e kryera nga Sako në zbatim të asaj prokurore janë njëlloj si të kryheshin prej vetë përfaqësuesit ligjor apo pronarit të shoqërisë.
Ndërkohë, të gjithë veprimet bankare për llogari të kompanisë saudite kryen nga Marsela Çekiçi, e cila rezulton e punësuar si inxhinjere pranë kompanisë “2T”, ku bashkëpronar është Artan Sako.
Në bazë të të dhënave zyrtare të Thesarit të Shtetit, kompania saudite ka arkëtuar deri më tani për mirëmbajtjen rutinore të rrugëve në Rajonin C (Elbasan-Korçë) rreth 3.5 milionë euro (më shumë se 370 milionë lekë të reja).
Megjithatë, hetimet më të thelluara të autoriteteve kompetente pritet të zbardhin shkaqet e vërteta të aksidentit të ndodhur këtë të Hënë (01.02.2022) në aksin Elbasan-Librazhd, ku fatkeqësisht mbetën të vdekur 3 persona nga e njëjta familje.
Rruga Press