Nga 3600 në 7260 $/ Kush i pagoi biletat e Ramës për ndeshjen e NBA
Pavarësisht kapelës që mbante në kokë nuk ishte e vështirë të dallohej kryeministri shqiptar Edi Rama në radhët e para VIP të ndeshjes së NBA mes New York Knicks dhe Indiana Pacers. Nga një kërkim që ka bërë ish-deputeti demokrat Belind Këlliçi, vendet ku ishte ulur kreu i qeverisë së bashku me djalin e tij të vogël, Zahon dhe disa persona të tjerë ka çmime mjaft të kripura.
“Sipas të dhënave zyrtare online, këto bileta kushtojnë nga 3600 deri në 7260 dollarë për person” – tha Këlliçi në një deklaratë për mediat në selinë blu. “Sa kushtojnë biletat e ndeshjes së basketbollit, që familja Rama pati mundësinë ta ndiqte nga rreshti i parë, në ulëset më të shtrenjta të Madison Square Garden? Kush pagoi për këto bileta?” – tha Këlliçi.

Duke kujtuar se kjo nuk është hera e parë që Rama përfiton si dhuratë bileta të tilla luksi për të ndjekur ndeshjet e NBA në SHBA, Këlliçi ka sjellë edhe një deklaratë të 12 janarit, 2016. Atëherë Rama u justifikua se nuk kishte paguar pasi biletat i ishin dhuruar.
“E vërteta është se çdo biletë, qoftë edhe abonimet vjetore, kanë një kosto financiare tejet të lartë. Sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, Edi Rama nëse i është ofruar dhurata në cilësinë e Kryeministrit, nuk duhej ta pranonte. Nëse dhurata i është bërë si individ privat dhe ajo dhuratë tejkalon vlerën e 100 eurove, Edi Rama duhet ta deklarojë pranë ILDKPKI. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, në deklaratën vjetore të vitit 2016, Edi Rama nuk ka deklaruar dhuratën e ndeshjes së NBA dhe as shpenzimet e udhëtimit të tij privat në New York” – thotë Këlliçi.
Ish-deputeti thotë se edhe reklama e Edi Ramës në billboardin e shfaqur në Times Square kushton 150 dollarë për vetëm 15 sekonda.

Sa ka kushtuar qiraja e sallës në këtë ambjent, fonia, ndriçimi, led wallet, shërbimi i sigurisë dhe kush i ka paguar këto fatura?” – thotë Këlliçi sipas të cilit për të gjitha të dhënat e mbledhura, PD do t’ia përcjellë SPAK duke e akuzuar për deklarim të rremë të pasurisë.

“U takon organeve të drejtësisë, të gjejnë kush janë këta bamirës që shpenzojnë qindra mijëra dollarë për dhuratat dhe qejfet e Edi Ramës në SHBA, pasi këto janë vetëm disa aktivitete që janë mundur të zbulohen nga opozita” – e mbyll Këlliçi. ©LAPSI.al
Rruga Press