Nga 23 marsi 1989 deri më sot – “viktimizimi” që rrezikon paqen në Ballkan
Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS, ka rikujtuar përvjetorin e suprimimit të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989, duke e cilësuar këtë moment si formalizimin e projektit për serbizimin e Kosovës nga Sllobodan Millosheviq.
Sipas analizës së tij, ky proces ishte parapërgatitur përmes strategjisë së “viktimizimit”, të artikuluar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve në vitin 1986, me qëllim justifikimin e përdorimit të dhunës si mjet “mbrojtës”.
Ai thekson se autonomia e gjerë e Kosovës e garantuar nga Kushtetuta e vitit 1974 përbënte pengesën kryesore juridike për këtë projekt, ndërsa narrativa e ndërtuar pas ngjarjeve në Fushë Kosovë në vitin 1987 u përdor për të legjitimuar suprimimin e saj.
Fetoshi vlerëson se pas këtij vendimi u vendosën masa represive, përfshirë largimet masive nga puna dhe kontrollin e dhunshëm mbi arsimin, mediat, administratën dhe policinë, duke krijuar një klimë frike dhe nënshtrimi që synonte edhe shpërnguljen e shqiptarëve.
Megjithatë, ai thekson se Kosova reagoi përmes mobilizimit qytetar dhe organizimit paralel institucional, përfshirë shpalljen e Republikës së Kosovës në vitin 1990, si formë e rezistencës paqësore që më vonë u dëshmua e pamjaftueshme përballë represionit.
Sipas tij, organizimi i rezistencës së armatosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë faktor kyç në pengimin e projektit të serbizimit, ndërsa ndërhyrja e NATO në vitin 1999 i dha fund projektit gjenocidal të Serbisë.
Fetoshi thekson se qëllimi i këtij projekti u shfaq qartë gjatë vitit 1999 përmes operacioneve ushtarake dhe fushatës së dhunës, që përfshinte vrasje, masakra dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova.
Ai shton se pas humbjes ushtarake, Serbia ka vazhduar me forma të tjera ndikimi, duke kaluar në strategji hibride si propaganda, dezinformimi dhe instrumentalizimi i komunitetit serb, ndërsa trazirat e marsit 2004 u përdorën për të ndërtuar narrativa të reja viktimizimi.
Fetoshi nl fund vlerëson se 23 marsi 1989 mbetet një moment kyç historik, një projekt që dështoi në kohën e Millosheviqit, por që, sipas tij, vazhdon të paraqesë rrezik përmes strategjive hibride të Aleksandër Vuçiqit.
Rruga Press

