Lajme

Nevojat për financimin e barnave në QSUT, gati 4 herë më të larta se buxheti që jep qeveria shqiptare

Qeveria i alokon çdo vit spitalit “Nënë Tereza” një fond 2-2.5 miliardë lekë (rreth 25 mln euro) po në fakt nevojat e qendrës spitalore më të madhe në vend janë se paku 4 herë më larta.

Çdo vit kur hartohet buxheti afatmesëm entet publike raportojnë për nevojat qe kanë për financime gjatë një viti. Këto kërkesa në fund i përcillen Ministrisë së Financave që më pas miraton fondin përkatës, i cili për shumë funksione nuk mund të jetë sipas nevojave.

Kjo është e kuptueshme në rastin e investimeve publike, apo shërbimeve të tjera, por në rastin e barnave mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për t’u kuruar jashtë sistemit publik.

Shefat e shërbimeve në QSUT kërkojnë çdo vit medikamente që kushtojnë rreth 10-11 miliardë lekë, por në vërtetë qeveria financon nëpërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm vetëm 1 të katërtën ose një pestën e kësaj shume. Kjo anomali është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i shtetit gjatë një auditimi në qendrën spitalore.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Për kryerjen e përllogaritjeve të nevojave të QSUNT për fonde, zhvillohet një procedurë nga shefat e shërbimeve të tilla si konsum historik i llojit të barnave, nevojat për barna sipas mjekimit, numrit të të sëmurëve në periudhat e mëparshme dhe sasinë e barnave të akorduara sipas pacientëve, etj., bazuar kryesisht në kërkesat e periudhave të mëparshme, dhe jo në alokimet reale të fondeve për barna.

“Kërkesat e përcjella nga shefat e shërbimeve janë një “wish list”, dhe nuk merren në konsideratë, për vetë vlerën e lartë të këtyre shpenzimeve, dhe fondet e akorduara bazohen në buxhetin historik të vendosur në dispozicion për këtë zë. Në vijim të kërkesave sipas shefave të shërbimit për barna dhe materiale mjekësore, QSUNT, përcjell për MSHMS në cilësinë e Organit Qendror Blerës sasinë e barnave, duke qëndruar brenda limiteve buxhetore dhe çmimeve të publikuara, ku sasitë janë të reduktuara, duke theksuar se ky planifikim do të sjellë një pamundësi të plotësimit të nevojave për të gjithë pacientët që marrin shërbimin pranë qendrës spitalore” ka vërejtur KLSH ne auditin që ka bërë QSUT.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

KLSH vërejti se buxheti për spitalin “Nënë Tereza” mbetet i pandryshuar për vite me radhë si për barnat ashtu edhe në totalin e tij, nga ana tjetër barra e sëmundjeve që kërkojnë trajtime të kushtueshme të tilla si neoplazmat dhe sëmundjet kardiovaskulare po rriten me shpejtësi nga viti në vit.

Gjatë dekadës së fundit në QSUT ka një rritje progresive të shtrimeve (nga 68,273 pacientë në 2013, në 116 mijë pacientë në vitin 2022). Ka rritje të aktivitetit në shërbimet e urgjencës, rritjen e numrit të konsultave dhe ekzaminimeve ambulatorë, rritje të procedurave invazive dhe mini invazive, rritjen e trajtimeve në onkologji, hematologji, onko-hematologji, pediatri, etj.

Ndërkohë që financimi i barnave në QSUT ka një hendek të thellë, nën anën tjetër buxheti i Qendrës Spitalore po gërryhet nga pagesat e larta për shërbime dytësore që ofrojnë privatet dhe koncesionaret. Koncesionet e laboratorit dhe sterizilimit po kanalizojnë buxhetin e “varfër” të QSUT drejt financimit të shërbimeve dytësore me kosto shumë të lartë./Monitor

Rruga Press

YouTube player