Nëse GJK i quan të ligjshme zgjedhjet e 30 qershorit, mos shpresoni kurrë se drejtësia do të vihet në shinat e ligjit dhe të Kushtetutës
Nga Artan Fuga
Gjykata Kushtetuese gjykon partitë politike apo të drejtat kushtetuese të qytetarëve?
Duket se Gjykata Kushtetuese po shkon drejt shpalljes legjitime të zgjedhjeve për pushtetin lokal të 30 qershorit.
Pesë komente lidhur me këtë.
E para, atëhere ajo duhet të shpallë antikushtetues edhe dekretin e Presidentit të Republikës që shpallte një datë të dytë për zgjedhjet. Pra duhet të marrë në shqyrtim edhe dekretin e dytë presidencial. Këto janë çështje të lidhura pazgjidhshmërisht sepse dekreti i dytë i Presidentit e bënte sipas tij nul datën e 30 qershorit.
E dyta, atëhere duhet të shpalli si akt antikushtetues dhe antiligjior faktin që opozita, pra partia demokratike në atë kohë, nuk iu dha mundësi zgjedhësve demokratë të votonin kandidatët e tyre.
E treta, Gjykata Kushtetuese formalisht, por formalisht ama, ka të drejtë që i shpall zgjedhjet legjitime. Ikja e partisë demokratike dhe e aleatëve të saj nga procesi elektoral ishte një çmenduri politike, një braktisje e elektoratit demokrat, një falje në tavolinë kryeministrit i të gjitha bashkive të Shqipërisë që u bë shkaku që ai të fitojë edhe mandatin e tretë. Ishta një tradhëti e shëmtuar e interesave të elektoratit .
Së katërti, Gjykata Kushtetuese sigurisht mund t’i shpalli zgjedhjet formalisht të ligjshme sepse opozitës nuk ja ka fajin njeri që nuk hyri në zgjedhje. Por, kaq nuk mjafton. Sepse në raport me qytetarin ato zgjedhje ishin një puç antikushtetues sepse qytetarëve nuk iu dha mundësia të votojnë për kandidatë alternativë. Nuk ka rëndësi për faj të kujt. U shkelën parimet më thelbësore të kushtetutës që janë zgjedhjet e lira. Si mund të quhen ato të lira, kur qytetari ishte i “lirë” të votonte vetëm kandidatët e shumicës? Si mund të quhen legjitime kur elektorati i abandonoi ato zgjedhje sepse ishin krejt antikushtetuese?
Së pesti, shoqata e bashkive sikurse aktorët opozitarë të mendohen dhe përgatiten mirë kur shkojnë në Gjykatën Kushtetuese sepse në rast të kundërt ajo që ata bëjnë nuk është veçse t’u japë mundësi shkelësve të Kushtetutës që të legjitimohen plotësisht. Kush mund të ankohet tani kur Gjykata sipas saj shpall legjitime zgjedhjet?!
Nëse ato zgjedhje Gjykata Kushtetuese i quan të ligjshme atëhere mos shpresoni kurrë më se drejtësia shqiptare një ditë do të vihet në shinat e ligjit dhe të kushtetutës.