Lajme

Nën presion për çmimet e naftës, Konkurrenca gjobit kompanitë e plehrave kimikë

Autoriteti i Konkurrencës vendosi tre gjoba me vlerë të përgjithshme prej 192 milionë lekësh për fiksim të çmimeve të shitjeve. Gjobat e vendosura janë afërsisht 2.85% e xhiros së kompanive të gjetura në shkelje dhe nuk pritet të reduktojnë ndjeshëm fitimet e tyre.

Autoriteti i Konkurrencës gjeti në shkelje dhe gjobiti tre kompani të importimit dhe tregtimit të plehrave kimikë, të cilat janë të domosdoshme për sektorin e bujqësisë, duke vendosur gjoba me vlerë 192 milionë lekë për tre kompanitë kryesore të tregtimit të DAP, Nitrat dhe Ure, tre impute bujqësore të domosdoshme, për shkak se kanë fiksuar çmimet e shitjeve duke shmangur konkurrencën me njëri-tjetrin.

Të tre kompanitë e gjobitura, Agroblend, MBM dhe Çaça, kishin xhiro të përbashkët prej 6.7 miliardë lekësh (rreth 56 milionë euro) gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të bilanceve të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit ndërsa gjobat ndaj tyre në masën 192 milionë lekë përbëjnë afërsisht 2.85% të të ardhurave vjetore.

“…referuar analizës së provave indirekte në lidhje me sjelljen e ndërmarrjeve nën hetim, të tilla si: rritja e treguesve të përqendrimit, rritja e njëkohshme dhe në mënyrë të menjëhershme e çmimit të shitjes me shumicë duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes dhe duke ndarë tregjet, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se, sjellja e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK, gjatë periudhës nën hetim vinte në kundërshtim me nenin 4 pika 1, germa a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”,” njoftoi autoriteti të premten.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

“Përtej gjobitjes së tre ndërmarrjeve të sipërcituara, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjithashtu edhe vendosjen nën monitorimin e tregut të importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure, për një periudhë 1 (një) vjeçare nga data e daljes së këtij vendimi,” shtoi Autoriteti.

Agroblend, e cila është kompania nën pronësinë e ish-kryebashkiakut demokrat të Vorës Fiqiri Ismailaj, si dhe kompania MBM sh.p.k., u mbrojtën para akuzës për fiksim të çmimit me argumentin se “ndërmarrjet kanë një strukturë kostoje të njëjtë … çmimi përcaktohet nga bursa, kostot e transportit deri në magazinë, shpenzimet administrative, ambalazhimi, etj. Kësaj kostoje i shtohet edhe marzhi i fitimit dhe del çmimi i shitjes me shumicë, i cili rezulton i përafërt për ndërmarrjet e shitjes me shumicë,” sipas citimit të argumentit të tyre në vendimin e autoritetit.

Ky argument nuk u mor parasysh.

Kompanitë e gjobitura kanë të drejtë të apelojnë vendimin në gjykatë.

Autoriteti i Konkurrencës është vënë nën presion së fundmi nga opinioni publik në lidhje me dyshimet e konkurrencës së paktë në sektorin e importit dhe shitjes së hidrokarbureve.

Autoriteti ka të drejtë të gjobisë kompanitë nëse i gjen ato në shkelje të ligjit për konkurrencën nga 2 deri në 10% të xhiros së tyre vjetore. Në këtë rast, autoriteti duket se ka zgjedhur gjobën pothuajse më të ulët të mundshme ligjore.

Agroblend është kompania më e madhe mes kompanive të hetuara. Gjatë vitit 2020 ajo realizoi një xhiro prej 4.5 miliardë lekësh me rritje 8% përkundrejt vitit 2019. Fitimet e deklaruara të kompanisë ishin 384 milionë lekë, me rritje 172% në krahasim me vitin 2019.

Kompania MBM është e dyta për nga madhësia me xhiro 2 miliardë lekë gjatë vitit 2020 me rritje 10% kundrejt vitit paraardhës. Fitimet e kompanisë ishin 18.5 milionë lekë, të pandryshuara përkundrejt vitit 2019.

Çaça është kompania më e vogël me xhiro 273 milionë lekë dhe me fitime në masën 4.9 milionë lekë./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *