Negociatave të Shqipërisë me BE-në i shtohet edhe kapitulli i ‘Dyshekut’
Shkruan Enver Robelli
Ekskluzive!
Negociatat për të hyrë në BE janë të ndara në 35 kapituj. Për secilin kapitull bisedohet veç e veç. Por në një mbledhje urgjente të BE-së në Bruksel, Shqipërisë i është shtuar edhe një kapitull. Ai kapitull quhet: Dysheku, Pastruesja dhe Paraja. Në dokumentet interne të BE-së ky kapitull quhet shkurt DPP36. Ai është i ndarë në këta nënkapituj:
a) Roli i madhësisë së dyshekut në transformimet korruptive në Shqipëri
b) Roli i gjerësisë së dyshekut në metamorfozën e ryshfetit në Shqipëri
c) Cilësia e pëlhurës së dyshekut në fshehjen e parave të fituara me djersë
ç) Roli i pastrueseve në luftimin e korrupsionit në apartamentet e Tiranës
d) Roli përkrahës i fëmijëve të pastrueseve në çlirimin e Shqipërisë nga mynxyra e korrupsionit
dh) Roli i jastëkut në reformimin e administratës shtetërore
e) Roli i ri i fshesës në kuadër të integrimeve europiane
f) Cilësia e detergjentit të pastrueseve në pastrimin e Shqipërisë
g) Roli i butësisë së dyshekut në palosjen e parave
gj) Debati mbi përparësitë e dyshekut apo kasafortës në ruajtjen e parave të fituara ndershëm (…)
zh) Roli i fabrikave për prodhimin e dyshekëve në sistemimin e parave të zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Negociatat për kapitullin DPP36 pritet të fillojnë më 17 janar 2023 në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Dhe do të përfundojnë kur Shqipëria do të mbesë pa asnjë dyshek si pasojë e konfiskimit të tyre për shkak të dyshimit se aty fshihet pasuria më e madhe (dhe e vjedhur) e Shqipërisë. Pasi të mbesin pa dyshekë, shqiptarët ndoshta do të mendojnë për alternativa të tjera qeverisëse.
Rruga Press