Në Sarajevë përkujtohen fëmijët e vrarë gjatë luftës
Si pjesë e një fushate për të promovuar paqen dhe tolerancën, u vendosën lule në monumentet e fëmijëve që u vranë gjatë kohës së luftës nëSarajevë dhe në Sarajevën Lindore fqinje.
Shoqata Fëmijët e Harruar të Luftës dhe një grup të rejash boshnjake vendosën lule të martën në nderim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Sarajevë dhe në qytetin fqinj të Sarajevës Lindore.
Ato shpalosën gjithashtu pankarta ku shkruheshin fjalët: “Ata ishin thjesht fëmijë. Së bashku ne mund të ndërtojmë ura për të ardhmen.”
Foto: Fëmijët e Harruar të Luftës.
Homazhi ishte pjesë e një projekti të quajtur “Simbole të së kaluarës së humbur”, i cili synon ndërtimin e një kulture të re kujtimi, si dhe nderimin e fëmijëve të vrarë në luftë. Ai mbështetet nga Rrjeti i Pajtimit KOMRA, i cili bën fushatë për një komision ndërkufitar të së vërtetës për luftërat jugosllave.
“Vetëm një marrëdhënie konstruktive dhe kritike ndaj të kaluarës së popullit të vet, por edhe vlerësimi i vuajtjeve të popujve të tjerë në Bosnje dhe Hercegovinë, mund të kontribuojë në krijimin e një kulture kujtimi, vlerësimi dhe respekti reciprok”, tha Mirna Omercauseviç, menaxher programi i shoqatës Fëmijët e Harruar të Luftës.
“Ata ishin thjesht fëmijë. Së bashku ne mund të ndërtojmë ura për të ardhmen.” Foto: Fëmijët e Harruar të Luftës.
Një nga pjesëmarrëset në projekt, Isidora Trivkoviç, tha se ishte e rëndësishme të mësohej për atë që ndodhi gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të kujtoheshin fëmijët që vdiqën.
“Ne dërguam një mesazh të qartë se të rinjtë në vendin tonë duan të jetojnë në paqe dhe dashuri. Ne nuk duhet të lejojmë që e kaluara të përsëritet dhe vetëm së bashku mund të ndërtojmë ura për të ardhmen”, tha Trivkoviç.
Foto: Fëmijët e Harruar të Luftës.
“Duke bërë homazhe, ne po shprehim respekt për ata që u vranë, dhembshuri dhe eupati për familjet, ndërsa në të njëjtën kohë projekti po na mëson për të kaluarën dhe si të ndërtojmë një shoqëri që nuk do të lejojë që ato gjëra të tmerrshme të ndodhin përsëri”, tha një tjetër pjesëmarrëse, Fatima Mahmutoviç.
Vlerësimet e numrit të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës ndryshojnë, por disa thonë se numri i të vdekurve është rreth 1,600.
Rruga Press