Opinion/Aktualitet

Në përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë

Shkruan Inxhi Brisku

Si sot 28 vjet më parë, më 11 korrrik 1995 forcat shoviniste serbe të drejtuara nga Radovan Karadžić dhe Ratko Mladić, vranë mbi tetë mijë burra muslimanë boshnjakë në Srebrenicë. Ndërsa kane kaluar afro 30 vjet nga kjo ngjarje, në diskursin dhe përgjithësi memorien publike serbe mbi luftrat dhe gjenocidet e shkaktuara nga shteti serb gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavise (me përjashtime të rralla), mungon reflektimi dhe pendesa për keto ngjarje të tmerrshme, përfshirë edhe Srebrenicën. Përkundrazi mbizotëron viktimizimi, justifikimi, përkujtimi selektiv i ngjarjeve kryesisht te periudhës së sundimit osman. Mjaft të kujtojmë se kryetari i shteti serb sot eshte ish-ministri i Propagandës i regjimit të Slobodan Milošević-it, Aleksander Vučić. Po i njëjti që në mes të Kuvendit të Serbise ka thëne se për një serb të vdekur do të vrasim 100 muslimanë. Ishte pikërisht kjo retorikë që nxiti edhe gjenocidet në Bosnje e Kosovë.

E njëjta metodë selektive raportimi dhe diskutimi mbi ngjarjet, dallohet në mediat dhe diskursin publik në Serbi edhe për luftën e Rusisë kunder Ukrainës. Ndërsa nuk raportohet për asnjë masakër të trupave ruse, vazhdimisht fajësohen fuqitë perëndimore si luftënxitëse, meqenëse po armatosin ushtrinë ukrainase.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Ndërsa fajtorët kryesore për gjenocidet dhe masakrat gjatë luftrave në ish-Jugosllavi janë klasa politike serbe, trupat ushtarake dhe grupet paramilitare, edhe masa e gjerë e popullsisë ka përgjegjësitë e veta. Qoftë për këtë mungesë reflektimi për gjenocidet, por edhe për faktin se protestat popullore për rrëzimin e Miloševićit filluan afro një vit e gjysmë pas përfundimit të luftës në Kosovë (shtator- tetor 2000). Atëbotë, çka kishte mbetur nga i ashtëquajturi shtet Jugosllav ndodhej në një situatë izolimi ndërkombëtar dhe u kuptua se nëse Milošević-i vazhdonte të qëndronte në krye, bashkë me fundin e tij do të sillte edhe fundin pakthim të vendit.
Në mënyrë të përqendruar opinioni i përgjithshëm në lidhje me Slobodan Milošević-in dhe veprimet e tij, shprehet në një fjalim që mbajti përpara disa kohësh, presidenti i i Serbisë (edhe ish-ministri i Miloševićit), Aleksander Vučić gjatë një vizite në veriun e Republikës së Kosovës. Gjatë atij fjalimi (ku po ashtu u fol me një logjikë goebesliane mbi shtimin natyror të shqiptarëve edhe uljen e numrit të serbëve) ai u shpreh që Milošević-i kishte synime të mira (kupto krijimin e një shteti të madh serb, të paster etnikisht, me kroatët, boshnjakët, shqiptarët, të vrarë apo dëbuar), por që nuk arriti të gjejë mënyrën e duhur për ta zbatuar.

Kësisoj çdolloj përpjekje për një riafrim mes popujve të Ballkanit të cilët kanë pësuar gjenocid dhe serbeve, do të duhet të ketë si parakusht pikërisht këtë reflektim të munguar të shoqërisë serbe mbi krimet e shkaktuara gjatë luftrat në ish-Jugosllavi nga aparati shtetëror dhe ushtrak i shtetit të tyre, ndaj të cilit ata ose dhanë mbështetje aktive apo pasive, ose qëndruan indiferentë (bystanders).

Një tjetër element që na përkujton Srebrenica, është roli i munguar i bashkësisë ndërkombëtare gjatë luftrave në ish-Jugosllavi. Ishin pikërisht trupat paqeruajtëse holandeze të cilat edhe pse kishin për detyrë sigurimin e paqes në Srebrenicë, edhe kishin garantuar për sigurinë e popullsisë muslimane boshnjake, nuk ndërmorën asnjë hap për parandalimin e gjenocidit.

Përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë si edhe ngjarje te tjera që lidhen me situatat që pasuan luftrat në ish-Jugosllavi, si progromi ndaj shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut në shkurt 2000, të cilët kishin po ashtu një garanci nderkombëtare nga Gjenerali Wesley Clark për sigurinë e tyre, (si edhe garancitë ndërkombëtare në letër ndaj Ukrainës) na kujtojnë se në mungesë të një rezistence nga popullsia vendase dhe përfaqësusit e tyre legjitimë, “garancitë ndërkombëtare” janë fjalë që i merr era.

Rruga Press

YouTube player