Bota

Në mungesë të pajisjeve, rusët në fushëbetejë me kuaj – ukrainasit i sulmojnë me dronë

Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë publikuar një video që ka ngjallur reagime të shumta, ku shfaqet një sulm i pazakontë i trupave ruse ndaj pozicioneve mbrojtëse ukrainase – këtë herë duke lëvizur mbi kuaj.

Sipas njoftimit të bërë nga Batalioni i 5-të i Sulmit i Brigadës së Pavarur të Sulmit 92, ushtarët ukrainas kanë identifikuar një grup forcash ruse që po i afroheshin vijës së frontit duke përdorur kuaj, për shkak të mungesës së mjeteve ushtarake dhe pajisjeve.

Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Brigadës 92 në Facebook thuhet se humbjet e mëdha të pajisjeve gjatë ofensivave kanë detyruar trupat ruse të përdorin mjete primitive lëvizjeje.

Lexo më shumë  Dronët rusë në hapësirën ajrore të NATO-s: Rritja e tensioneve dhe pasojat për sigurinë

“Okupatorët rusë po humbin pajisjet kaq shpejt gjatë ‘sulmeve të tyre masive’ saqë janë të detyruar të lëvizin mbi kuaj. Por as kjo nuk u ndihmon – operatorët e dronëve të Batalionit të 5-të i neutralizojnë sapo vërehen”, thuhet në reagim.

Pozicionet ukrainase, të mbrojtura nga dronët, kanë ndalur sulmin, ndërsa grupi i kalorësve nuk ka arritur të depërtojë. Videoja ka shkaktuar komente të shumta edhe brenda vetë Ukrainës.

Ushtari dhe aktivisti ukrainas, Mikola Voroshnov, ka shkruar se fillimisht e kishte menduar pamjen si një shaka ose produkt të inteligjencës artificiale, por më pas ishte konfirmuar nga pilotët e dronëve.

Lexo më shumë  Polonia forcon sigurinë kufitare/ Instalohet sistemi i parë anti-dronë në kufirin me Bjellorusinë

“Kjo është e çmendur. Mendova se ishte shaka, por jo. Më vjen keq për kuajt, definitivisht”, ka shkruar ai.

Kujtohet se më herët mediat kishin raportuar se, për shkak të mungesës së mjeteve logjistike, trupat tokësore ruse kanë përdorur edhe gomarë për transport në vijën e frontit, duke theksuar vështirësitë gjithnjë e më të mëdha të ushtrisë ruse në terren. /TheGeoPost/

YouTube player