Art & Kulturë

Në Bienalen e Venecias, Ukraina shpërfaq “të drejtën për ekzistencë”

Në ditën e dytë të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, kuratorja Maria Lanko dhe anëtarët e ekipit të saj paketuan 72 gypa bakri në kuti dhe më pas i ngarkuan në makinën e saj të vogël, të cilën ajo e nxori nga Kievi.

Gypat ishin përbërës të një skulpture të artistit nga Kharkiv, Pavlo Makov. E titulluar “Funtain of Exhaustion” (Shatërvani i lodhjes), vepra ishte menduar për ekspozim në Bienalen e Venecias, në një nga ekspozitat ndërkombëtare të artit në botë.

Lanko kaloi mbi një javë duke drejtuar makinën mes qyteteve në perëndeim të Ukrainës përpara se të shkonte në Austri.

“Unë isha e vetmja në ekip që nuk kisha asnjë fëmijë apo vartës, dhe mund të ulesha në makinë dhe të largohesha, gjë që e bëra”, tregoi Lanko në një konferencë për media në Venecia.

Vendosmëria për të qenë të pranishëm në Venecia ishte “një mundësi për t’ia kujtuar botës se Ukraina është një komb i pavarur me identitetin e vet”, kishin thënë në mars kuratoret e Pavijonit ukrainas Maria Lanko, Lizaveta German dhe Borys Filonenko. “Dhe ndërsa njerëzit tanë luftojnë për këtë të drejtë në një front ushtarak, ne marrim përsipër atë kulturor”.

“Në kohë si kjo, përfaqësimi i Ukrainës në ekspozitë është më i rëndësishëm se kurrë”, kanë thënë kuratorët në një deklaratë duke konfirmuar përkushtimin e tyre për ta sjellë veprën në Venecia, pavarësisht se platforma e skulpturës dhe pjesë të tjera kanë mbetur në Ukrainë. Këto u rindërtuan më vonë në Itali.

“Kur e drejta e plotë e ekzistencës për kulturën tonë po sfidohet nga Rusia, është thelbësore t’ia demonstrojmë arritjet tona botës”, shtuan ata.

Tani “Shatërvani i lodhjes” qëndron në Pavijonin e Ukrainës në Venecia. Vepra simbolizon rraskapitjen. 72 gypat e bakrit janë rregulluar në formën e një piramide përmes së cilës uji përpiqet të udhëtojë.

63-vjeçari Makov e konceptoi për herë të parë këtë “metaforë të rraskapitjes” në mesin e viteve 1990. Ishte një deklaratë e luftës që preku shoqëritë post-sovjetike, por ajo ende po luhet në kontekstin e luftës në Ukrainë, ka treguar Makov.

“Pas çdo lufte ekziston një konflikt kulturor”, ka thënë Makov në një konferencë për media, duke shtuar se konflikti kulturor i Ukrainës dhe Rusisë nuk është i rastësishëm, por ka qenë i vazhdueshëm “për qindra vjet”.

Ai iu referua artistëve dhe shkrimtarëve që kishin qenë pjesë përbërëse e një “rilindjeje ukrainase” dhe ishin “eliminuar” nga bolshevikët revolucionarë sovjetikë në vitet ‘20. Ai ka thënë se kjo po ndodh përsëri dhe shpjegoi pikëpamjen e tij për të dyja palët e konfliktit të gjatë.

“Njëri është i ndërtuar mbi respektin e madh ndaj pushtetit dhe dominimit, tjetri është i ndërtuar mbi respektin ndaj lirisë dhe pavarësisë”, ka thënë Makov.

Ky konflikt po zhvillohet tani në Ukrainë, ka treguar bashkëkuratori i Pavijonit të Ukrainës, Borys Filonenko. Ai i kërkoi botës së artit që “të zhvendosë fokusin në kulturën ukrainase” që është në shënjestër nga sulmet ruse. Kuratorët kanë treguar se mbi 230 sulme në objekte kulturore janë regjistruar nga Ministria e Kulturës e Ukrainës, duke përfshirë shkatërrimin e qëllimshëm të Teatrit në Mariupol. Institucioni kulturor i OKB-së, UNESCO, ka numëruar mbi 100 hapësira kulturore të dëmtuara ose të shkatërruara që nga fillimi i luftës.

“Sot historia takohet me Ukrainën. Historia takon ‘Fontanën e lodhjes’. Dhe historia takon Bienalen”, ka thënë Filonenko.

Gjatë javës së kaluar, kuratorët e Pavijonit ukrainas kanë krijuar një hapësirë ​​të re ekspozuese në ambient të hapur, “Piazza Ukraina”, në zemër të Bienales.

Në qendër të hapësirës së hapur është një monument i mbuluar me thasë rëre, një praktikë e kohës së luftës në qytetet ukrainase për të tentuar mbrojtjen e artit publik nga granatimet. Pjesa tjetër e hapësirës përmban pjesë prej druri të djegur që shërbejnë si mbulojë e ekspozitës për veprat e artit të krijuara nga artistë ukrainas në mes të luftës.

Shumë prej këtyre veprave tashmë janë të qasshme për publikun nëpërmjet rrjeteve sociale. “Ato bëhen një provë, një artefakt, një dokument i gjendjes shpirtërore”, kanë thënë kuratoret në një deklaratë.

“Ndoshta këto vepra kanë fituar tashmë një status të dokumentacionit më të sinqertë dhe sigurisht të pamohueshëm të përvojës: atë të traumës, të zemërimit dhe, megjithatë, të guximit të plotë”, shtuan ata.

“A është e mundur të bësh art pas Buchas?, pyeti Filonenko, duke iu referuar masakrës në periferi të Kievit. Megjithat,ë ai shtoi se artistët, disa prej të cilëve punojnë në ushtrinë ukrainase, vazhdojnë të shprehen.

Veprat e artit në “Piazza Ukraina” u mblodhën si pjesë e Arkivit të Artit të Kohës së Luftës, të përpiluar nga Fondi i Artit të Urgjencës së Ukrainës, i cili u krijua për të “përballuar pasojat e pushtimit rus dhe kërcënimet që lufta paraqet për komunitetin e artit ukrainas”.

Fondi organizon edhe grante emergjente dhe administron donacione dhe rezidenca jashtë shtetit, në mënyrë që artistët ukrainas të mund të vazhdojnë punën e tyre.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *