Art & Kulturë

Në “bibliotekën” e Migjenit

Nga: Lazër Radi

Nji mbas nji, ditët nisën me hy n’at rrjedhën e zakonshme.

Mbasditeve kur Milloshi s’ishte në mësim, të shtunave o të dielave që ishte i lirë, ai ishte i ftuem në Nënprefekturë për ndonji “seancë” loje. Mungesën e tij, unë e mbushja duke lexue librat e bibliotekës së tij.

Siç ma kishte theksue edhe net ma parë, kisha qëllue me fat pse e njifsha mirë serbokroatishten, dhe pjesa ma e madhe e librave, mos me thanë krejt, ishin n’at gjuhë.

S’di se ç’libra kishte Milloshi në Shkodër, po në Pukë kishte pak, po të zgjedhun. Pjesa ma e madhe e tyne, e theksoj ishin të edicionit NO-LIT (Nova Literaturnaja). Kjo e cila botonte kryesisht vepra dhe shkrimtarë bashkëkohorë. Autorë të cilët trajtonin probleme të mbrehta sociale. Ishin vepra moderne me frymë realiste, të cilat Milloshi i kish lexue e stërlexue. Ndodhte që pasazhe të tana prej atyne veprave m’i tregonte si ta kishte librin përpara…

Nji ditë ndërsa flisnim për këto botime më tha: Formimim tim kulturor e pata kryesisht gjatë periudhës së seminarit. Mësimet fetare, liturgjitë e përgjithsisht atmosfera e seminarit ma merrte frymën. Gjithnji e ma tepër e ndjeja vetminë mbytëse, e këtë gjendje shpirtnisht të rrezikshme, nisa me e mujtë vetëm me lexime. Edhe unë, në fillim isha kështu si ti: s’kisha fort preferenca. Lexoja çka m’binte në dorë. Shën Agostinin, edhe pse s’e kisha në landët mësimore, më pëlqente shumë si filozof dhe e lexoja me andje të veçantë.

Nga vepra e tij “Omnia”, jam përpjekë me mbledhë, si ajo bleta punëtore, pjesën ma të shëndoshë, atë nektar që mendoja se do t’më shërbente për formomin tim intelektual e pozitiv. Shpesh e pyesja vedin: “Ç’asht e vërteta?! A besohet në t’vërtetën?” Kësaj pyetje të dyfishtë, pikërisht te Shën Agostini e kam gjetë përgjegjen: “E vërteta asht e vërtetë, vetëm kur përputhet me realitetin e deri në çastin kur ajo mbetet objektive”, mirëpo mendimi njerëzor asht gjithmonë subjektiv e, për pasojë, vetëm tue reflektue përmes këtij subjektivizmi njeriu ka mujtë me e zbulue përmbajtjen e së vërtetës!”

“Po dyshimi çfarë asht?” Pra, kur dyshojmë, dyshojmë veç kur bajmë nji krahasim të mendimit personal me nji të vërtetë objektive? Me fjalë të tjera unë s’mundem me dyshue në dyshimin tim d.m.th. ne, si njerëz, jemi të sigurt se ekzistojmë vetëm pse jemi njikohësisht qenie menduese dhe dyshuese.

Nga pak e përditë, Milloshi kishte nisë me m’futë thellë e ma thellë labirintheve të filozofisë. Biseda më pëlqente, më joshte. Edhe pse shumë gjana s’arrija me i kuptue mirë, s’doja me e ndalë njat rrjedhë të tij gufuese. Asokohe, kisha nisë me marrë njifarë njoftje mbi filozofinë e Dekartit: “Unë mendoj, pra unë jam”. Por, ajo çka po më shpjegonte Milloshi ishte diçka krejt tjetër! N’ato çaste as unë s’dëshiroja me e ba habitshëm rolin e nxanësit. Si duket ai e nuhati këtë gjendje timen dhe vazhdoi:

– Bashkë me Shën Agostinin kam lexue me etje edhe Niçen. Pa harrue “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, që për mue asht ndër shkrimtarët ma të mëdhej të kësaj bote. Edhe “Martin Iden” i Xhek Londonit asht ndër librat ma interesantë të kohës sonë. Në seminar, interesohesha fort për rrymat dhe drejtimet letrare që po përhapeshin me shpejtësi nëpër botë. Kureshtja shpesh më shtynte me depërtue përtej “Kordonit të hekurt”, ku mund të gjeja e të njifja “prozën dhe poezinë e re ruse”, n’veçanti Majakovskin dhe revolucionin e tij poetik, për të cilin aq shumë flitet në shtypin jugosllav të kohës.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Mundem me thanë se i kam stërlexue dhe i kam ndje thellë shpirtnisht “Kangët” e Branko Radiçeviçit, poetit të rinisë serbe, që vdiq nga ftizia në moshën 29 vjeçare. Shumë më ka pëlqye edhe poeti kroat Tin Ujeviç; me pasion kam lexue Mirosllav Kërlezhën, në veçanti dramën e tij të famshme “Gospoda Glembajev” (Zotnia Glembajev).

Prej çdo bisede me Milloshin mësoja gjana të reja dhe interesante. Po ma e randsishmja për mue, qe ajo përzgjedhje librash që ai kishte bà. Libra me përmbajtje të thellë shoqnore e me pikëpamje filozofike kontemporane. Kështu edhe unë po futesha si pa u ndje në hapsinën e shijeve migjeniane, n’atë terren ku hap mbas hapi plotësohej vepra e tij.

Për librat që kishte në Pukë, Milloshi më shpjegoi se gjithçka kishte aty, e që mund t’i lexoja gjatë asaj vere, ai i kishte lexue, megjithatë ai shpesh u rikthehej me kënaqësi rileximeve e u hidhte nji sy shënimeve të shumta me laps, e nënvizimeve që gjindeshin pothuej në çdo faqe.

Kur fliste për librat e merrte nji entuziazëm i çuditshëm. Ndodhte shpesh të komentonte episode nga ma të ndryshmet, të cilat i konsideronte mjaft interesante. Ndigjoja përmbajtjen e tyne, dhe bahesha gjithë veshë, jo veç për faktin pse i tregonte aq bukur ngjarjet, po u jepte ngjyra mahnitëse episodeve përmes interpretimit të vet. Më tërhiqte shumë komenti që u bante poezive të ndryshme, po edhe qëndrimi i tij kur kambngulte te theksimi i momenteve dramatike që shtjelloheshin ndër ata libra.

Meqë s’ishin shumë, veprat që gjeta aty në Pukë, pata mundësi me i lexue të tana. E gjej me vend me i përmendë nji për nji krejt ata libra, duke kujtue edhe fragmente bisedash që shkëmbenim me Milloshin gjatë leximeve.

Fillimisht u hodha nji sy titujve, shfletova parathanien e secilit libër dhe krijova njifarë ideje rreth përmbajtjes së tyne. Mund me thanë se ata libra u banë para meje nji dritare e hapun drejt thesarit të kulturës botnore. Deri at’herë kisha lexue “kuturu”, çka m’kishte ra në dorë, domosdo duke krijue edhe njifarë tollovie ndër mendime të mia. Aty në shkollë të Pukës, po niste kontakti im i parë me letërsinë moderne realiste, kryesisht ndër ata libra me përmbajtje të thellë sociale. Aty, m’u desht me vendosë njifarë rregulli, mbasi leximet e mia kishin qenë pa ndonji synim të qartë e pa ndonji objektiv të përcaktuem. Thjesht lexime!

Të nesërmen, ndërsa Milloshi po futesh në mësim, më tha:

– Kur t’mërzitesh, si të kam thanë, kalo kah biblioteka. E kam porositë edhe Cvetkën, “Lazri mundet me marrë çdo libër që t’i nevojitet!”

Të parin libër, që zgjodha për lexim ishte romani “Roza Blanka”. Titulli m’u duk disi romantik dhe mendova se aty kisha me gjetë diçka të përshtatshme për moshën time, i nxitun edhe nga mungesa e asaj kulture solide në përzgjedhje, siç shpjegova edhe ma nalt. I kisha kalue dyzet faqet e para, kur ra zilja e pushimit. Milloshi doli prej mësimit dhe u fut në dhomë të vet ku më gjeti duke lexue te qoshja e punës së vet. Ishte në qejf dhe posa m’pa, me at buzëqeshjen karakteristike të pikturueme lehtas, më recitoi vargun e parë të rapsodisë popullore mbi “Luftën e Kosovës”…

Më gëzoi humori i tij, ajo konfidencë, që përditë e ma tepër shembte çdo pengesë mes nesh e natyrshëm po më bahej si shokët e mi të gjimnazit. Tash para meje s’ishte ma ai Migjeni poet, që jetonte i mbyllun në tempullin e artit të vet, po mësuesi Millosh Nikolla, me të cilin ishim ba miq prej kohësh e flisnim sikur koha mes nesh kishte rrjedhë prej kur s’mbahesh mend… Doemos, menjiherë u çova në kambë dhe e pyeta si i kishte shkue ora e mësimit. Me mimikën e fytyrës së tij shprehu kënaqësi. Pa librin që kisha në dorë, i hodhi nji sy titullit dhe më pyeti:

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

– A ke ndigjue gjà për këtë vepër?

– Jo asgja! – i thashë

– Autor i librit asht njifarë B. Traven.

P.S. B. Traven (disa herë i cilësuem edhe si Bruno Traven) – asht pseudonimi i nji shkrimtari që besohet të jetë i gjuhës gjermane, mjaft aktiv gjatë gjysmës së parë të Nantëqindës, por që e ka ruejtur të msheftë identitetin e tij…

Sigurisht ky s’asht emni i tij i vërtetë, po thjesht nji pseudonim. Kam lexue nji artikull të botuem në nji revistë të Beogradit, ku thuhej se janë përpjekë me e zbulue emnin e tij të vërtetë, po ka qenë e pamundun. Ai lufton me çdo kusht me e ruejtë anonimatin. Kështu edhe Shtëpia Botuese asht e detyrueme me ia ruejtë këtë msheftësi klientit të vet. Libri asht i bukur dhe mjaft interesant. Besoj se e ke zgjedhë këtë libër duke mendue se ke me gjetë lule shpirti, trandofilë të ndezun e sentimente, po në t’vërtetë asht nji dramë e thellë shoqnore e njerëzore.

“Roza Blanka” quhej nji vendbanim i indianëve t’Amerikës së Veriut. Banorët e atij vendi jetonin vërtetë të lumtun. Uashingtoni, e kishte nënshtrue krejt popullsinë e atij vendi, e megjithatë u kishte lanë vend me jetue të lirë simbas traditave dhe zakoneve të trashgueme brez mbas brezi. Kësisoj të dyja palët ishin të kënaquna.

N’at trevë të mrekullueshme ku sundonte qetësia dhe rregulli e s’njifeshin as ligje, as dekrete … të gjithë u bindeshin dhe respektonin çdo urdhën që vinte prej kryeqytetit… Nji ditë prej ditësh, qetsia n’at parajsë lumnie mori fund. Tri karroca me njerëz të ardhun prej visesh të panjoftuna, nisën me ngrejtë çadrat mbi rrafshinë. Vendosën do konstruksione të habitshme për banorët vendas që zhurmonin dhe shponin vazhdimisht tokën… Mbas do kohe “Roza Blanka” u shpall zonë e pasun naftëmbajtse. Nëse ta kallzoj se çka ndodhi ma vonë, ti e humb interesin me e lexue deri në fund librin, pra po e ndërpres këtu rrëfimin tim, që ti të vazhdosh punën tande e unë të shkoj në detyrën time, pse sot kena edhe mbledhje me krejt mësuesit e zonës… /epokaere.com

YouTube player