Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!
Nga Enver Bytyçi
Në Beograd u shpall krijimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve të kontestuara të fundit të vitit të kaluar. Madje të mërkkurën që shkoi kjo qeveri u miratua në parlamentin e Serbisë. Presidenti Vuçiq është kumbara i kësaj qeverie. De facto, ai është edhe president edhe kryeministër I vendit të tij. I çdo autocrat në botë. Por ajo që bie në sy, ka të bëjë me faktin se në këtë qeveri janë bërë bashkë si në kohën e luftës në Kosovë (1998-1999) njerëzit e Sllobodan Milosheviçit dhe ata të Vojisllav Shejshelit. Eshtë caktuar si zv. Kryeministër ekstremisti dhe terroristi, Aleksandër Vulin, i njohur për trafik armësh nga bota e Perendimit dhe si aleati më i ngushtë i Kremlinit. Më pas ministrinë e brendshme e mori sërishmi në dorë Ivica Daçiq, i spikatur jo vetëm për lidhjet e tij me politikat raciste e genocidiste të Milosheviçit, por edhe si aleati politik më i ngushtë i Moskës. Vulin, de facto do të jetë edhe shef i shërbimit sekret të Serbisë. Daçiq do mbajë lidhjet e Vuçiq me bandat kriminale dhe mafien rajonale.
Në krye të shtetit vazhdon të jetë krahu u djathtë i Shejshelit, njëkohësisht frymëzuesi i masakrës së Srebrenicës, pra Aleksandër Vuçiq. Dhe pas tij është kreu i partisë që themeloi presidenti i sotëm, radikali i llojit të Shejshelit, Millosh Vuçeviq. Ky Vuçeviq derdhi sot lot krokodili për pavarësinë e Malit të Zi, kur tha se pavarësia e Malit të Zi na e ka vështirësuar luftën për Kosovën. Vulin ishte më parë ministër i Mbrojtes, ministër i Brendshëm dhe shef i shërbimit sekret serb, i lidhur ngushtë me shërbimin sekret rus, deri te shkëmbimi i informacioneve për disidentët rusë që vijnë në Serbi pas agresionit të Moskës kundër Ukrainës. Daçiq ishte gjithashtu kryeministër, ministër i brendshëm, ministër i jashtëm dhe kryetar i parlamentit të Serbisë. Ndërsa Vuçeviq ishte ministër i mbrojtjes, I njohur për provokimet kundër Kosovës. Të tre këta, së bashku me ministrin e jashtëm, Gjuriq, janë autorët e dhunës dhe terrorit në Kosovën e para 25 viteve si dhe në Kosovën e pas luftës, deri në ditët e sotme.
Aleksandër Vulin është i shpallur nga amerikanët non-grata. Megjithatë presidenti Vuçiq e sfidoi këtë vendim të Departamentit të Thesarit në SHBA. Megjithatë shumë diplomatë amerikanë e pranojnë kreun e shtetit të Serbisë si partner, madje të besueshëm. Ajo që më bie në sy në këtë rast ka të bëjë me faktin se ndonëse Vuçiq nuk i përfill amerikanët, këta e duan edhe më shumë atë. Kurse në Kosovë e në Shqipëri ndodh e kundërta: – Politikanët tanë stërbetohen për Amerikën e janë gati të therin njëri-tjetrin nëse këtë e kërkojnë disa amerikanë. Por përfitimet i merr gjithmonë Beogradi, sepse me mbështetje nga Uashingtoni lufta bëhet kundër politikanëve shqiptarë anti-serbë! Paradoks i çuditshëm është ky!
Po le të kthehemi te çeshtja e përbërjes së qeverisë së re të Serbisë. Përbërja e saj na le të kuptojmë qartazi se qeveria e re me ministra nga “mesjeta e politikës serbe” nuk ka ndërmend të ndërrojë asgjë nga projektet e saj të luftës, konfliktit, destabilitetit dhe aleancave me armiqtë e Europës dhe SHBA-ve, pra edhe të shqiptarëve. Beogradi bën mirë që ruan lidhjet me armiqtë e Perendimit. Ndoshta me këto qëndrime I bën të vetëdijshëm ata se Serbia nuk mund të bëhet pjesë e aleancës euro-atlantike. Por kjo rrezikon fatin e shqiptarëve në Kosovë e gjerësisht në Ballkan. Perendimit, pra Europës dhe SHBA-ve, mirë t’u bëhet, që i besuari i tyre, Aleksandër Vuçiq ua tregon kufijtë. Por kjo i dëmton rëndë interesat e shqiptarëve. Europianët e meritojnë një bazë ruse në Adriatikun malazez të serbizuar, sepse në vend të kërkonin denazifikimin e Serbisë, e përkëdhelin atë si një fëmijë të llastuar. Po çfarë taksirati kemi ne të dëmtohemi nga këto politika?!
Aleksandër Vuçiq, Aleksandër Vulin, Ivica Daçiq, Millosh Vuçeviq, apo edhe Popoviq e shumë emra të tjerë në qeverinë dhe institucionet e reja të Serbisë, përfshirë “amerikanin” e Grennell, Marko Gjuriq, tashmë janë kërcënim i padiskutueshëm për rajonin e Ballkanit Perendimor. Ata janë dhe mbeten aleatët më të besuar të Rusisë në Europë. Si të tillë zgjodhën përfundimisht që në luftën e re të bëhen një me armikun e paqes në botë, Vladimir Putin. Në këto kushte loja anti-perendimore serbe nuk përfundon këtu. Do të shohim se çfarë do të prodhojnë me datën 6-8 maj. Do të ketë apo jo një platformë të krijimit dhe mbrojtjes së “botës serbe”?! Do të shpallet apo jo shkëputja e Republikës Srpska nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës?! Do të ketë ose jo provokime terroriste në Mal të Zi dhe në Kosovë?! Pra, do të duhet që në pak ditë të shohim sprovën e parë serioze të raportit të Serbisë me Perendimin.
Gjithashtu ne do të shohim nëse do ketë ose jo efekt ky agresion anti-perendimor në pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës apo jo?! Do të ndikojë politika e diversionit dhe agresionit serb kundër paqes e sigurisë në Europë për ta ndaluar miratimin e rezolutës së OKB-së që shpall Srebrenicën akt genocidi, apo jo?! Të gjitha këto dilema dhe sfida do të shihen se si përfundojnë brenda dy javësh. Por një gjë është e sigurt: – Serbia ndjek të njëjtat strategji e politika si edhe Milosheviçi dhe Shejsheli në raport me paqen në rajon dhe me marrëdhëniet e saj me Perendimin. Agresiviteti i saj është provë e sprovë për Europën dhe për popujt e kombet e Ballkanit. Para së gjithash për ne shqiptarët.
Kush nuk i merr seriozisht këto zhvillime, ai ose është i shitur në Beograd, ose është naiv. E vërteta është se ne duhet të përgatitemi në çdo pikëpamje për sfida të reja. Nëse qahemi dhe themi “bobo çfarë na gjeti”, atëherë Vuçiq do të vijë të na “pushtojë me shoqatën e gjuetarëve të Serbisë”! Nëse përgatitemi dhe ne shqiptarët kudo që jemi në Ballkan a të shpërndarë nëpër botë ia tregojmë potencialet tona mbrojtëse, atëherë Serbia do të tërhiqet në aventurat e veta anti-shqiptare. Zgjedhja është e jona, nuk është e Beogradit! Atë që ne vetë do të zgjedhim, atë edhe do të marrim!
Rruga Press