“Ndryshova ekipin në Itali për Kombëtaren”, Berisha: E kam harruar Napolin, në Moldavi për fitore
Portieri Etrit Berisha ka folur para dy sfidave të kombëtares shqiptare ndaj Moldavisë më 17 nëntor dhe 3 ditë më pas ndaj Ishujve Faroe në Tiranë.
Portieri, i cili po kalon një formë të jashtëzakonshme me Empolin, është shprehur se ndryshoi ekip në Serie A për të qenë në formë sa më të mirë edhe për kombëtaren. Ai theksoi se kuqezinjtë do të shkojnë për fitore në Moldavi.
Forma e mirë ndaj Napolit, mendoni se do jeni zgjedhja e parë e Sylvinho? “Ne jemi në një moment shumë delikat, jemi shumë të fokusuar në këto ndeshje. Forma ime ka qenë një nga arsyet pse kam shkuar te Empoli sepse doja të isha i gatshëm dhe në formë shumë të mirë dhe kjo po ndodh për fat të mirë, ndërsa pjesa tjetër i takon trajnerit.”
A mund të bësh të njëjtën ndeshje si me Napolin edhe ndaj Moldavisë? “Atë ndeshje e kam harruar tani dhe jam i fokusuar te ndeshjet që kemi me Moldavinë. Jemi entuziastë, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Me gjithë respektin që kemi për ta, duhet të shkojmë atje për fitore”.
Euforia: “Jo nuk kemi eufori, por entuziazëm dhe duhet të vazhdojmë kështu, pasi është e vështirë të kesh entuziazëm. Na ka ndodhur më herët të ishim në vështirësi dhe kemi derdhur shumë djersë që të arrinim këtu. Duhet t’i bëjmë gjërat siç duhet dhe nëse do të kemi mundësi të kualifikohemi në Europian, duhet të bëjmë gjëra më të mira seç kemi bërë deri tani.”
Moldavia: “Mundohem ta kuptoj situatën e Moldavisë, të kesh përballë një skuadër siç jemi ne është e vështirë. Çdo ekip me të cilin jemi përballur e kemi vënë në vështirësi, do të bëjmë të njëjtën gjë me Moldavinë. Megjithatë ata nuk kanë asgjë për të humbur dhe ndonëse favorit në letër jemi ne, duhet të bëjmë maksimumin. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ndaj Ishujve Faroe edhe ndaj tyre duhet të luajmë për fitore”.
Rruga Press