Ndryshimi i adresave në gjendjen civile, Muharrem Cakaj: Është bërë për të dëmtuar zgjedhjet
Ndryshimi i adresave të qytetarëve shqiptarë pak muaj para zgjedhjeve, sipas gjendjes civile nuk ndryshon qendrën e votimit. Kjo nismë sipas përfaqësuesit të këtij institucioni ka ardhur si pasojë e projektit të popullimit të OSHEE dhe ministrisë së brendshme.
Vangjush Stavro: Duke saktësuar adresën, ne nuk kemi ndryshuar as qendrën e votimit, as zyrën e gjendjes civile dhe as kodin e banesës. Nga të cilat burojnë ose prodhohen listat zgjedhore.
Por shqetësimi i ngritur nga anëtarët e opozitës në komisionin rregullator është se këto ndryshime janë bërë për të dëmtuar zgjedhjet. Edhe pse ky fenomen mohohet nga institucionet shtetërore.
Muharrem Cakaj: Besoj kjo impakton dhe përcaktimin e numrit të mandateve për zgjedhjet.
Pavarësisht denoncimeve publike nga shumë qytetarë, gjendja civile mbron sistemin, pasi ndryshimi i adresave sipas saj ka ardhur vetëm pas deklarimeve të qytetarëve.
Muharrem Cakaj: Në certifikatën familjare, janë të gjithë në Tiranë, ndërkohë që nusen e kanë ccuar në Vlorë dhe djalin e kanë çuar në Sarandë.
Vangjush Stavro: Shtetasi mund të jetë gjendur aty në pushimet e verës, në shtëpinë e tij të plazhit dhe ka deklaruar që ky është vendbanimi im.
Të gjitha palët e pranuan se një qytetar mund të hasë problem për rinovimin e dokumentit të identifikimit .
Muharrem Cakaj: Ku duhet ta marrë vërtetimin e banimit dhe ku duhet ta marrë certifikatën personale, një nga anëtarët e familjes. Në Tiranë, në Vlorë apo në Sarandë.
Vangjush Stavro: Të shkojë pesë minuta vetëm në zyrën e gjendjes civile, të saktësojë adresën e tij sepse është detyrim në fund të fundit të dimë se ku ndodhemi dhe pastaj mund të aplikojmë menjëherë për letër njoftim ID.
Helga Vukaj kërkoi nga gjendja civile një listë nominale për çdo qark të popullsisë për ta krahasuar me ekstraktin e listës së zgjedhësve për tja vënë në dispozicion KQZ.