Shëndetësi

Ndodh për herë të parë, shkencëtarët kapin momentin ekzakt kur një person infektohet me grip

Shkencëtarët kanë arritur për herë të parë të kapin momentin kur një person infektohet me grip.

Një teknikë e re mikroskopie mundëson vëzhgimin në kohë reale të viruseve të gripit teksa infektojnë qeliza të gjalla.

Studiues nga Zvicra dhe Japonia përdorën këtë teknologji, të zhvilluar prej tyre, për të vëzhguar nga afër sipërfaqen e qelizave njerëzore në një enë laboratorike.

Ata e përshkruajnë virusin si të ishte duke bërë sërf mbi qelizë, duke kërkuar një mënyrë për të hyrë dhe për të përfunduar infektimin.

U zbulua gjithashtu se qeliza vetë e ndihmon virusin të hyjë, duke aktivizuar mekanizma të ndryshëm. Ajo grumbullon proteina të rëndësishme, të quajtura klatrina, pikërisht aty ku ndodhet virusi. Po ashtu, sipërfaqja e qelizës ngrihet dhe e “kap” virusin në atë pikë.

Vëzhgimi i këtij procesi me rezolucion të lartë mund të ndihmojë në zhvillimin e terapive antivirale më të sakta dhe më efektive.

FOTO/ Ndodh për herë të parë, shkencëtarët kapin

Studimi u udhëhoq nga Yohei Yamauchi, profesor i Mjekësisë Molekulare në ETH Cyrih. Ai tha se studiuesit u habitën nga fakti që qelizat nuk janë pasive dhe nuk lejojnë thjesht pushtimin nga virusi, por përpiqen aktivisht ta kapin atë.

“Infektimi i qelizave tona është si një vallëzim mes virusit dhe qelizës,” tha Yamauchi.

ETH Cyrih shtoi se kjo teknikë e re ofron njohuri kyçe për zhvillimin e barnave antivirale dhe mund të përdoret për të testuar efektivitetin e tyre në kohë reale. Ajo mund të shërbejë gjithashtu për studimin e viruseve të tjerë apo edhe të vaksinave.

YouTube player