Ndërpriten operacionet në Kardiokirurgjinë e QSUNT-së në Tiranë, mungojnë materialet mjekësore
Gjatë muajit dhjetor, pacientët e spitalit Nënë Tereza nuk kanë mundur të kryejnë ndërhyrje dhe marrin dot shërbimin e nevojshëm te kirurgjia kardiovaskulare për shkak të mungesës së disa materialeve mjekësore.
Mjeku Tritan Shehu thotë se për shkak të këtij problemi, pacientët po i kryejnë operacionet në spitale private.
“Ka mungesë ekstreme të këtyre materialeve kaq të rëndësishme për operacionet e zemrës, siç janë oksigjeneratorët prej një muaji, gjë e cila bën që të bllokohet aktiviteti normal i klinikës. Në sistemin publik nuk kryhen procedura jetike dhe urgjente, veçanërisht ato që lidhen me aksidentet vaskulare cerebrale që kryhen vetëm tek privati.”
Për shkak të mungesës së oksigjenatorëve, kirurgjia kardiovaskulare ka ndërprerë të gjitha operacionet e planifikuara. Ky shërbim për momentin i jepet vetëm urgjencës.
Vetë Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza nuk e mohon faktin e ndërprerjes së ndërhyrjeve. Për mediat, drejtoria e QSUNT thotë se ka siguruar emergjencat dhe se po punon për furnizimin me medikamente dhe materiale të nevojshme mjekësore, por nuk jep asnjë detaj se kur do të kthehet në funksion të plotë shërbimi për pacientët.
Në shërbimin e kirurgjisë kardiovaskulare çdo ditë kryhen mesatarisht 4 ndërhyrje, por nevojat për oksigjenatorë shkojnë deri në 60 në muaj.
Rruga Press