Bota

Ndërkohë që Franca mbështet Ukrainën ajo vazhdon importin e gazit rus – ku pozicionohet në të vërtetë shteti francez?

Teksa lufta Rusi-Ukrainë po vazhdon, të dhënat e reja zbulojnë se Franca po rrit në heshtje pagesat e gazit për Rusinë, edhe pse presidenti Emmanuel Macron pozicionohet si një nga mbrojtësit më të vendosur të Ukrainës.

Bëhet e ditur se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, dërgesat ruse të gazit në Francë janë rritur më shumë se në çdo vend tjetër në BE.

Në total, Parisi i ka paguar Kremlinit mbi 600 milionë euro për furnizimet me gaz që nga fillimi i vitit, shkruan Politico.

“Nuk mundet që Franca nga njëra anë të thotë se duhet të jemi të ashpër me Rusinë dhe nga ana tjetër t’u ofrojë para të mëdha”, tha në mënyrë anonime një diplomat i BE-së.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Ndryshe, brenda disa muajsh pas sulmit të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës, BE-ja paraqiti planin për t’i dhënë fund varësisë së bllokut nga importet fosile të Moskës deri në vitin 2027.

Deri më tani, ka qenë kryesisht i suksesshëm. Megjithatë, disa vende ende vazhdojnë të blejnë gaz nga Rusia, duke përfshirë Francën, Belgjikën, Spanjën dhe Holandën.

Andaj qeveritë po studiojnë mundësitë e furnizimeve alternative pa e rrezikuar sigurinë energjetike evropiane.

Por, ajo që është më shqetësuese, është fakti se gjiganti francez i energjisë TotalEnergies zotëron 20 për qind të aksioneve në projektin Yamal LNG, i cili është në pronësi të shumicës së kompanisë ruse, Novatek.

Sipas një kontrate afatgjatë, Franca është e detyruar të blejë të paktën 4 milionë ton gaz çdo vit deri në vitin 2032.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

E debati për gazin rus vjen ndërsa Komisioni Evropian fillon përgatitjet për një paketë tjetër sanksionesh kundër Rusisë, e 14-ta me radhë, në të cilën gazi nuk ka gjasa të përfshihet, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga vendet baltike dhe Polonia.

Një prej çështjeve kryesore në të cilat BE-ja do të fokusohet janë kontratat afatgjata të vendeve evropiane me kompanitë ruse, si rasti i Francës. Kjo pasi këto marrëveshje po detyrojnë vendet të paguajnë edhe nëse ndalojnë blerjet nga Rusia.

Përndryshe, qeveritë e BE-së mund të vendosin edhe një kufi çmimi për importet ruse, gjë që do të ulte të ardhurat e Moskës.

Rruga Press

YouTube player