Ndër ne, njerëzit e idealit mbyten dy herë
Nga: Rudina Llazari
“Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosat qi desin. Por, fatosat qi desin, nuk kane ç’të bajnë në nji komb, qi i harron dhe i përbuzë”. Kështu do të shprehej drejtuesi i revistës Hylli i Dritës, At Gjon Shllaku (1907–1946), në numrin 3-4 të kësaj reviste. “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytshin për së gjalli, nderohen për së dekuni. Ndër ne ata mbyten dy here; edhe harrohen”. Apostrofime në dukje të thjeshta, parandjenja dhe profeci që tingëlluan deri vonë si tepër të trishta. Në mëngjesin e zymtë, të vrenjtur dhe me shi Shkodre, të 4 marsit 1946, zemrat e shkodranëve dridhen nga breshëritë e automatikëve dhe jehonat që vinin nga Zalli i Kirit, vendi i namun ku pushkatoheshin “mëkataret” e kohës së kuqe.
Nën plumbat e skuadrës ekzekutuese ranë njëri pas tjetrit, përdhe, trupat e shtatë të dënuarve me vdekje ndër të cilët katër ishin klerikë katolikë. At Gjon Shllaku qe njëri ndër ta. Nuk ishte hera e parë që në të zbardhur të dritës në qytet të dëgjoheshin të shtime të tilla me ushtime të “xanun” si ato që bien në mish njeriu.
Në zakonin e fituar rishtazi, pushkatimet e “heretikëve” bëheshin në orët e para kur njerëzit ishin ende në shtroja. Pas pushkatimit, zakonisht trupat e të vdekurve liheshin ashtu njëri mbi tjetrin, si të ishin thasë plehu – në dispozicion të qytetarëve, për tërë ditën.
Në muzg të natës, ashtu grumbull siç ishin, hidheshin në një gropë të përbashkët që mbulohej mirë, mundësisht të mos mund të dallohej më. Ky qe fati që parandjeu në harresën e tij edhe At Gjon Shllaku. “Ne, nesër, së bashku edhe me nji koleg temin, shkumë kinse për me shëtite, kah vendi i pushkatimit, me qëllim që të vërtetojmë se ku i kishin vorrue. Kurrkund shenjë grope dhe as dheu, të çuem rishtas. Ma vonë morrmë vesh se gropën e kishin çele natën, afër shtratit të lumit, në zall që e mbulon lumi mbas shinave. Dheun tepricë e kishin tretë dhe gropën e kishin rrafshue me kujdes, me fundrri të qytetit: teneqe, kutia zhele, në mënyre që të mos dukej shenjë dhe as gjurmë për krimin e kryer”, shprehet në kujtimet e tij për At Gjon Shllakun, Pal Duka-Gjini. (Pseudonimi letrar i At Daniel Gjeçaj).
Në Shkodër, At Gjon Shllaku njihet si një ndër më intelektualët klerik katolik. Filozof, gazetar, profesor, At Shllaku njihet edhe politikan. Në historinë e mendimit demokristian, thuhet të jetë i pari kryetar i Partisë Demokristiane Shqiptare. Madje, duket se kjo ka qenë edhe një ndër shkaqet kryesore që e çuan atë drejt fundit dhe rrokamës të pashmangshme.
Regjimi nuk mund të pranonte në rrjedhën e kohës ata që ishin në oponence ideologjike me të. Le që për njerëz të tillë, si At Gjon Shllaku, ishte i mjaftueshëm fakti se qe prift dhe që bënte pjesë në një elitë të zgjedhur intelektualësh.
Të vjetrit e kujtojnë shumë mirë, megjithëse ai nuk është më që nga fillim marsi i vitit 1946. Duke kujtuar takimin e parë të tij, me at Gjon Shllakun, At Zef Pllumi tregon; “Ishte një burrë i ri, rreth të tridhjetave, por i plakun para kohe. I shkurtër, i thatë, i zbehtë, me nji palë syze të zeza që i mbulonin gjysën e fytyrës që qeshte. Jo i bëshëm në trup. Më shumë i mesëm se i gjatë. Me një paraqitje të përvuajtur. Fytyrë e një frati të zakonshëm, që pamjes të jashtme nuk i jep as rëndësi dhe as peshë. I këndshëm në të folur dhe plot njerëzi. Fytyrën dhe formën e kokës karakteristike të racës ilire. Ballin të shpërvjelur dhe flokët të rrallë”.
Kështu e mbajnë mend në kujtimet e veta, ata që e njohën at Gjon Shllakun. “Dinte me u mbajt në shoqni dhe në çdo ambient a rend shoqnuer, ruante të pacenueshëm dinjitetin e meshtarit, zotnisë e filozofit prakticien dhe sociologut, pasurinë e nji kulture të hapët dhe të thellë. Kishte një mbamendë të fortë dhe refleksive. Lexonte shumë dhe çka lexonte, e thandronte në mendje me kollajsi të çuditshme”, thotë për të, Pal Duka-Gjini.
Njohës i shkëlqyer i filozofëve më të përmendur të kohës italiane franceze dhe gjermane, nga ku duket se ka dalë edhe një farë interesi i tij, që mbase për momentet kur u shfaq, mund të quhej i imponuar për politikën. I gatshëm për të diskutuar mbi çdo çështje të diturisë njerëzore dhe letrare. Dinte të sillej me të gjithë, pavarësisht se kishte parapëlqim intelektualët dhe të zgjuarit e kohës.
Megjithatë, fliste përzemërsisht njësoj me të gjithë. Në Shkodër kujtohet miqësia e tij me doktor Shirokën i cili, në bisedë me të, edhe kur vinte rasti përdorte terminologjinë e ngushtë të zhargoneve të shkencës humane të njeriut.
Po kështu mbahet mirë në mend edhe një episod tjetër. Gjatë një vizite të një grupi albanologësh italianë në Shkodër, At Gjon Shllaku është i zoti i shtëpisë. Në listën që kërkohet të bëhet për një dhuratë me libra, ai vërteton të qenit njeri erudit dhe me kulturë e shije letraro-ditunore. At Gjoni në Liceun Françeskan ku jepte mësim, konsiderohej si profesori më i përgatitur. Në kohën e vet thuhej se ishte njeriu më i lartë i kulturës shqiptare.
“E kam pasë profesor në Liceun ‘Illyricum’ dhe na jepte mësime në fiziko-kimi, në frëngjisht dhe në ekonominë politike. Ishte profesori më simpatik. Në klasë na fliste për marrjen e Bastijes, që ndryshoi botën. E kuptonim na? Sigurisht që jo …”, thotë At Zef Pllumi, në kujtimet e veta.
Në drejtimin e Hyllit të Dritës, aftësia e Padre Gjonit spikati shkëlqyeshëm. Shpejt revista u shndërrua në një forum kombëtar, me pjesëmarrje të personaliteteve më të shquara të kulturës, si; Eqrem Çabej, L. Mirdita, Kol Naraci, Frano Alkaj, Prek Kaçinari etj. Ai mblodhi rreth vetes penat më të mprehta të kohës. Në vatrën që inicioi Fishta i madh, ku u shkri platforma e një Shqipërie të lirë dhe të përparuar, u ulën në kuvend si dikur, pleqtë e kanunit dhe shkrimtarët e rinj të krishterë ose jo, por gjithmonë, adhurues të një Zoti.
Ai pranoi ide moderne e përparimtare, por pa ia shmangë parimeve kristiane e kulturës shqiptare. Në vitin 1945, intelektualët shkodranë organizuan konferencën për krijimin e Shtëpisë të Kulturës. “U ftua edhe Padër Gjoni, gjë që ai e përqafoi me entuziazëm. Në atë konferencë që e zgjodhi Padër Gjonin kryetar nderi, ai mbajti fjalimin përurues, fjalim që do të mbetet i paharruar për auditorin e asaj dite”, thotë kështu Zef Zorba.
Të gjithë e njihnin Padre Gjonin dhe ishin të bindur se më nismëtar të tillë, kultura, ekonomia dhe arti do të lulëzonin në Shqipërinë e pavarur.
Në lajtmotivin e klerikëve është e njohur edhe jeta e martirizuar për fe dhe për atdhe. Një jetë të tillë pati edhe martiri që njihet me emrin Gjon Shllaku. I lindur në Shkodër, djep të kulturës dhe qendër të kristianizmit, ai pati emrin Kolë në pagëzim. Ende i vogël, hyri në Kolegjin Françeskan. Në tetor 1922, shugurohet prift dhe filloi jetën rregulltare, duke ndërruar edhe emrin e pagëzimit në Gjon. Diplomohet në Holandë dhe Belgjikë, në Universitetin e Levainit, ndërsa në Francë, në Universitetin e Sorbonës, ndërsa kryen edhe një kurs për gazetari, çka do të jetë një ndër synimet e tij kryesore në drejtimin e Revistës Hylli i Dritës.
Simbas traditës së françeskanizmit në Shqipëri dhe si pasojë e edukatës të fituar nga të mëdhenjtë me zhgun – Bardhi, Gjeçovi, Harapi, Fishta dhe Rrota, që ishin mësues në shpirt dhe në zemër – Padre Gjoni ndikoi te të rinjtë jo veç ndjenjat fetare, por edhe kulturën e shëndoshë dhe ndjesitë kombëtare.
Edhe atij, si etërve të Provincës Françeskane, i dha jete binomi “Për fe dhe për atdhe”. Ajo që e dallon në misionin e tij meshtarak e françeskan, është penda dhe shkrimi. Këtu dha provat e para të një zotësie të rrallë dhe të një talenti të veçantë. Shkroi pak sepse koha qe e shkurtër e aktivitetit të tij dhe rrethanat e vështira me të cilat u gjet në momentet që hyri në radhët e shkrimtareve.
Në vitin 1946, për klerikët e krishterë në Shqipëri shënohet akti i parë dramatik i asaj tragjedie e cila dalëngadalë do ta çonte kishën e këtij vendi në asgjësim të plotë të çdo shprehje të jashtme të besimit. “Çdo ditë e më tepër rëndoheshin retë e zymta, që lajmëronin stuhi e shtrëngatë ndër ne. Më kujtohet si sot trishtimi që na kishte mbulue të gjithëve dhe më ka mbet në mendje gjendja shpirtërore e Padër Gjonit – tash më takon mua, por mjerisht s’jam as i pari as i mbrami. Të lutemi që Zoti të na japë forcë dhe zemër, për të përballuar martirizimin”, thotë kështu Pal Duka-Gjini. Akuzat qenë gati. Ai ishte me ideale demokristiane.
Sipas disa treguesve, në fund të vitit 1945 qe dukur në Shkodër, Sejfulla Malëshova. Thuhet dhe madje është e dokumentuar që ai të ketë biseduar me Padër Gjon Shllakun, për krijimin e një Partie Demokristiane. Këto ishin argumentet që u sollën në gjyqin farsë ndaj priftit të nderuar.
Një nga përkthyeset në shërbim të Enver Hoxhës, tregon se ka dëgjuar një bisedë të Hoxhës me ambasadorin jugosllav: “E mbytëm Padër Anton Harapin e me këtë kemi plagos për vdekje klerin katolik”. Sipas rrëfimit, diplomati serb i është përgjigje; “Po! Po! Por, keni ende gjallë Padër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë. Duhet, sipas porosisë të qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni në kulm dhe themel çerdhen e klerit katolik në Shkodër”.
Atë e morën në shkurt të vitit 1946. E nxorën nga klasa, ndërsa u jepte mësim nxënësve. Madje, nuk kishte arritur të shkruante as temën në regjistër të klasës. Atë natë në Radio-Shkodra u dha lajmi se “Krimineli Gjon Shllaku qe kapë duke kaluar kufirin, për t’u arratisë”. Që nga ai moment, ai ndërroi sallën e mësuesit me dhomën e torturave.
“Kur ne të tjerët kryem mësimin në dhjetë minuta, në gojë të secilit kaloi fjala. E pat edhe Padër Gjoni”, tregon Pal Duka-Gjini në kujtimet e tij. Tani Padër Gjoni bashkohej me viktima të tjera, në pritje që të nxirreshin në arenën e koloseut të Rozafës. Shtonte rreshtin e Padër Daniel Dajanit dhe të Padër Faustit, “anëtar të organizatës antipopullore, ‘Bashkimi Shqiptar’”. Mbi të binte edhe akuza e të qenit si kryetar i Partisë Demokristiane, në fillimet e saj. Në gjyq pati një avokat të guximshëm dhe tepër të përgatitur si nga ana intelektuale, ashtu dhe profesionale – Myzafer Pipën. Ky ishte ish-student i tij, e njihte personalitetin e Padër Shllakut dhe nuk e pati të zorshme edhe mbrojtjen, megjithëse pati pasoja prej tij. Sipas kujtimeve të Pal Duka-Gjinit, Myzafer Pipa ka pranuar të mbrojë Padër Gjonin dhe në një koment tha: “Shka mund të bëjë juristi, ku s’ka ligje dhe as drejtësi?! Si mund të mbrojë një njeri, në kje se në kohë, para se te provohet apo jo faji i tij, asht i dënuem”?!
Një gjyq tragjikomik, Padër Gjoni dënohet me vdekje. Akuzat të planifikuara nga lart, paraqitën Padër Gjonin, si ideologun dhe krijuesin e Partisë Demokristiane dhe organizatorin dhe udhëheqësin e “Bashkimit Shqiptar”. Fajtor për vdekje, jo vetëm si kundërshtar regjimi, por edhe si “kriminel dhe njeri i dëmshëm për popullin dhe kombin”. Dënimi me vdekje kishte ardhur prej kohe nga Tirana zyrtare. Pas kësaj, ekzekutimi ishte një rutinë.
Rruga Press