Bota

Navalny sërish në gjyq, mund të dënohet me 10 vjet burgim

Një gjykim i ri kundër liderit opozitar rus i cili po vazhdon të jetë i burgosur, Alexei Navalny, ka nisur brenda burgut të sigurisë së lartë, në lindje të Moskës, ku edhe po mbahet.

Navalny këtë radhë akuzohet për vepra të tjera mashtrimi. Ai ka kaluar tashmë një vit pas hekurave pasi i mbijetoi një sulmi helmues për të cilin fajëson Kremlinin. Aktualisht ai është duke vuajtur një dënim prej dy vjet e gjysmë burgim. Mirëpo parashihet se gjyqi i radhës mund ta zgjatë kohën e tij të kaluar në burg, në më shumë se një dekadë.

Navalny, 45 vjeç, u arrestua kur u kthye në Rusi në janar të vitit 2021, pas disa muajsh trajtimi në Gjermani, si pasojë e një sulmi gati fatal, me agjent nervor Novichok në Siberi. Muajin pasues ai u burgos për tre vjet e gjysmë për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht në një rast përvetësimi. Navalny ka këmbëngulur vazhdimisht se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Akuzat e reja pretendojnë se Navalny vodhi 4.7 milion dollarë nga donacionet e dhëna për organizatat e tij politike. Nëse shpallet fajtor për këtë akuzë, ai mund të dënohet me dënim maksimal prej 10 vitesh burg.

Gruaja e tij, Yuliya Navalnaya, ishte në seancën dëgjimore në burgun në Pokrov, pasi kishte kërkuar akses në procedurat me dyer të mbyllura një ditë më parë.

Ndërkohë, Amnesty International (AI) e përshkroi seancën dëgjimore si një “gjyq të rremë, ku morën pjesë rojet e burgut dhe jo mediat”.

“Është e qartë se autoritetet ruse synojnë të sigurojnë që Navalny të mos largohet nga burgu së shpejti,” ka thënë AI në një deklaratë të hënën.

Navalny drejton një fondacion kundër korrupsionit të quajtur FBK që ka nxjerrë në pah korrupsionin në partinë “Rusia e Bashkuar” e Putinit, dhe ka publikuar një video të shikuar gjerësisht duke pretenduar se bashkëpunëtorët e pasur të presidentit i kanë dhënë atij një pallat luksoz në Detin e Zi.

Vitin e kaluar, një gjykatë në Moskë ndaloi organizatat politike të lidhura me të, duke i klasifikuar ato si “ekstremiste”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *