NATO-ja kryen stërvitje në Finlandë, 100 km larg kufirit rus
Mijëra trupa të NATO-s morën pjesë në stërvitjet ushtarake që po zhvillohen në Finlandë, për herë të parë që kur vendi u bashkua me aleancën ushtarake transatlantike.
Më shumë se 3,600 ushtarë dhe rreth 1,000 automjete ushtarake morën pjesë në stërvitjen më të madhe të artilerisë së Frontit Dinamik të NATO-s në Arktikun e Finlandës, më pak se 100 kilometra larg kufirit rus, raporton AP.
“Ne jemi këtu për të siguruar partnerët dhe aleatët tanë se ne mund të vendosemi në mjedise të vështira dhe kërkuese, të stërvitemi në të gjitha kushtet, të organizohemi si aleatë dhe partnerë në konfigurime të shumta”, ka deklaruar gjeneralmajor John Rafferty, gjeneral komandues i Komandës së Artilerisë 56 të SHBA-së.
Stërvitja synon të trajnojë ndërveprueshmërinë në një nga poligonet më të mëdha të qitjes në Evropë, me një sipërfaqe prej më shumë se 1,200 kilometra katrorë, në kushte moti të ftohtë.
Një oficer finlandez, kapiteni Alexander Siren, thotë se ushtarët finlandezë mund t’u ofrojnë aleatëve ekspertizën se si të operojnë në temperatura nën zero.
Rruga Press