Uncategorized

NATO-ja e konfirmon prezencën e trupave të Koresë së Veriut në kufi me Ukrainën

NATO-ja ka konfirmuar të hënën se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi për të ndihmuar në luftën e saj pothuajse trevjeçare kundër Ukrainës, dhe se disa tashmë janë vendosur në rajonin kufitar të Rusisë Kursk, ku Rusia ka luftuar për të zmbrapsur një inkursion ukrainas.

“Sot, mund të konfirmoj se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se njësitë ushtarake të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin e Kurskut”, u ka thënë gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, raporton AP.

Rutte ka shtuar se masa sinjalizon “një përshkallëzim të rëndësishëm” në përfshirjen e Koresë së Veriut në konflikt dhe shënon “një zgjerim të rrezikshëm të luftës së Rusisë”.

Megjithatë, sipas tij, ky veprim nënkupton se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në luftë deri tani. 

“Vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Kursk është gjithashtu një shenjë e dëshpërimit në rritje të Putinit. Mbi 600,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e Putinit dhe ai nuk është në gjendje të përballojë sulmin e tij ndaj Ukrainës pa mbështetjen e huaj. Kjo ndodh sepse ukrainasit po luftojnë me guxim, elasticitet dhe zgjuarsi. Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të mbështesin një Ukrainë të lirë dhe demokratike, sepse siguria e Ukrainës është siguria jonë”, ka deklaruar ai, teksa u ka bërë thirrje si Rusisë ashtu edhe Koresë së Veriut që t’i ndërpresin menjëherë këto veprime.

Lexo më shumë  Bislimi: Kosova shënoi zhvillim ekonomik krahas barrierave

Deklaratat e tij erdhën pasi një delegacion i nivelit të lartë të Koresë së Jugut, duke përfshirë zyrtarë të lartë të inteligjencës, ushtarakë, si dhe diplomatë të lartë, informuan për këtë 32 ambasadorët kombëtarë të aleancës në selinë e NATO-s në Bruksel.

Rutte ka thënë se NATO-ja po konsultohet në mënyrë aktive brenda aleancës, me Ukrainën dhe me partnerët Indo-Paqësor mbi zhvillimet, dhe se ai do të bisedojë së shpejti me presidentin e Koresë së Jugut dhe ministrin e mbrojtjes të Ukrainës. 

Lexo më shumë  Bislimi: Kosova shënoi zhvillim ekonomik krahas barrierave

“Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër”, ka deklaruar Rutte.

Shtimi i mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore mund të ketë ndikim të keq mbi ushtrinë e lodhur dhe të stërngarkuar të Ukrainës, si dhe do të nxisë tensionet gjeopolitike në Gadishullin Korean dhe në rajonin më të gjerë Indo-Paqësor, duke përfshirë Japoninë dhe Australinë, sipas zyrtarëve perëndimorë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke cituar raportet e inteligjencës, pretendoi të premten e kaluar se trupat e Koresë së Veriut do të ishin në fushën e betejës brenda disa ditësh.

Ai më parë ka thënë se qeveria e tij ka informacione se rreth 10,000 trupa nga Koreja e Veriut po përgatiteshin për t’u bashkuar me forcat ruse që luftonin kundër vendit të tij.

YouTube player