Opinion/Aktualitet

Nata e të Shumtëve: Fije, Dritë, Jetë e Pasosshme!

Shkruan Nebi Bardhoshi 

Për Natën e të Shumtëve pakkush ka shkruar në etnografinë shqiptare, e ndërkohë të dhëna historike ka jo pak. Këtu do të ndalem vetëm te disa reflektime mbi çfarë kam vëzhguar deri më tash në terren. Kjo pjesëz vjen si pjesë e një projekti kërkimor që e kam quajtur përkohësisht “Etnografi e prehjes“. Përpiqem me hulumtu ato zona kohore në kulturë, ku njerëzit besojnë se bota e pasosshme me atë të sosshmen afrohen gati sa për t’u takuar.

Koha e vjeshtës. Kohësi për përmallje me këtë botë

Nëntori ofron njëfarë ndërmjetësie kohësisht. Është një ndërmjetëz. Një kalim drejt dimrit. Një vjeshtë që po lihet pas. Për disa vise dimri vjen më shpejt. Nata është më e gjatë, dita është më e shkurtër. Ajo shkon prapë duke u shkurtuar. Gjethet kanë rënë. Vijojnë të bien. Frytet piqen. Rakia e re ka dalë. Pak verë e re, ose si musht ia ka behë. Bagëtia ka do kohë që iu është kthyer vërriave. Bereqeti është mbledhur. Njerëzit mblidhen më shumë rreth votrës. Fillon e ndizet zjarri. Dikush e ka festu festën e fisit, dikë tjetër e pret. Fiset festojnë më së shumti në pjesën e dytë të vitit. Prej mesit të mesit të verës, Shën Marisë e deri në prag të pranverës. Bashkë me festat e fisit, fetohen ditët e shenjta të Kishës. Edhe festat e Fisit, lusin të shenjtë të fesë. Më mirë me qenë mirë edhe me orë e zanë e Krisht.  Kur fillon dita me ra, nata fllon me çue krye, e kur ke vendos mos me luajt truall sipas stinëve, por jetën me e lidh me tokën, fisin, e zotin, atëherë, është mirë me nda dhe kohën kur me u lut, e si me u lut. Me lidhë fije me veten, zotin e natyrën. Kultura është edhe një tërësi fijesh. Fijet ndërthuren, thuren, kërthuren.

Me një e dy nëntor katolikët kujtojnë të shumtët e gjithë të shenjtët. Jo vetëm në Shqipëri, por gjerësisht. “Të gjithë të shenjtët’ , janë shndërruar të tillë nga shpallja e njohja prej Kishës. Të shumtët. Siç edhe fjala thotë, janë të gjithë shpirtrat e atyre që kanë ndërruar jetë. Edhe për ta mbahet meshë, që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe. Në paqen e përjetshme. Më duket sikur ndarja në mes të gjithë shpirtrave dhe të gjithë të shenjtëve, janë dy shenja historike. Të dyja me kohë me periudha e domethënie historike. E para duket sikur i përgjigjet një kohë më të hershme, e dyta më e vonë. Dikush mendon se të shumtët kanë lidhje me të parët. Ndoshta të shumtët janë një kategori tjetër. Ata nuk janë vetëm themeluesit, të parët e fisit, janë të sh u m t ë t. Për të Gjithë të Shenjtët, disa thonë që prej shekullit të shtatë pati një përpjekje për strukturim institucional. Të tjerë japin data të tjera. Disa, të shumtit i thërrasin të shuemit– si të shuarit. Në të folmen e përditshme, sidomos sa më në malësi, njerëzit ta thonë qartë se të shumit apo të shumtit janë gjithë ata që kanë ndërrruar jetë. Është prapë mirë me e lanë hapur shtegun e interpretimeve historiciste, po aq dhe antropologjike. Ndoshta ka një formulë që ka pas qëllim pajtimin. Me datë 1 lutjet e përkujtimet shkojnë për të gjithë shpirtrat, e me datë 2 vetëm për të gjithë të  shenjtët.

Ditën e parë, pra me 1 nëntor kujtohen të gjithë të parët. Nderimi i të parëve, bëhet disa duarsh në kulturën tradicionale. Ata nderohen si anëtarë  të bashkësisë si tërësi, si bashkësi sociale që jeton në atë botë. Në botën ku të gjithë të gjallët do të shkojnë. Jo pak kultura tradicionale shohin lidhje mes botëve, e bashkësinë e kanë parë mes të gjallëve, të atyre që kanë ndërruar jetë dhe atyre që do të vijnë. Për një ateist, ky është iluzion, bestytni, edhe gjë e kotë, e për një besimtar, në këtë jetë njeriu është thjeshtë një vizitor, një kalimtar nëpër prova të ndryshme. Të dy palët bien dakord, se në këtë botë njeriu është i përkohshëm. Ateisti ngul këmbë te arsyeja, besimtari te besimi. Nganjëherë qëndrimet ndërthuren, nganjëherë dikush quan besimin si arsye, e tjetri arsyen si besim. Në kulturën e përditshme, gjen plot besimtarë që nuk besojnë në jetën e përtejme. Takon edhe ateistë që kanë dëshirë të besojnë në një jetë të amshueme. Edhe ateistë, edhe besimtarë kam takuar ditën e të shumtëve. Të dy palët kanë nderim për të afërmit e tyre që kanë ndërruar jetë. Nganjëherë kujtohen së bashku. Nganjëherë të shenjtë konsiderohen të gjithë atë që pranuan krishtin, e kështu si shpirtra të pranuar, të shumtët kthehen në të shenjtë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Ka lutje për shpirtrat e të shumtëve. Lutje për shpirtin e secilit që e ka lëshuar këtë botë më parë. Kujtesë e kujtime për jetët e ndërruara. Lutje, heshtje, qirinj. Qirinj, e dikur “fije”. Si fije, si qirinj, si dëshmi që jeta është në fije, se jeta është si fije, se shkon e nuk shkon përfije. Fija është qiri. Këto lutje janë për të s h u m t i t  dhe njëherazi e ndoshta më shumë  për të p a k t i t. Të shumtit bëhen atje ku koha pezullohet – në përjetësi. Lutja, e drejtuar prej secilit, por më shumë kur meshtohet nga një atë, kërkon me ndërmjetsu. Çfarë? Me ndërmjetësu kalimin sa më të lehtë, mos ngecjen në n d ë r m j e t ë s i – në p u r g a t  o r. Me ndërmjetësu, mundësinë e faljes së mëkateve të atyre që mbeten në mes dy botëve. Një kërkesë me lehtësu shpirtin e të parëve të mbërritur në atë botë. Të parët janë i madh e i vogël. Ndoshta lutja ma e përshpirtë është për fëmijët, që kanë ndërruar jetë. Për të P a k t ë t, e të mpaksurit në kohë, kujtesa kryesore është “përkohësia” në këtë kohë. Një kërkesë për t’i dhënë vetes mundësinë për të parë se sa shpejt kalon kjo jetë. “Thjesht mysafir jemi në këtë jetë”, – më thoshte një varrmihës teksa sistemonte varrin e dikujt.

Bathore, 1 nentor 2018, fotografi nga Nebi Bardhoshi.
Bathore, 1 nëntor 2018, fotografi nga Nebi Bardhoshi.

Ditën e të shumtëve njerëzit shkojnë ndër varre. Nganjëherë shkojnë ditë më para për ta pastruar varrin e të parëve të tyre. Nganjëherë, e secilen ditë më shumë sot paguajnë edhe dikë tjetër. Sot të afërmit jetojnë larg njëri-tjetrit. Dikur njerëzit shkonin ndër varre kur fillonte të sosej dita. Siç shkurtohet dita. Siç soset jeta. Në Kamëz [Bathore] njerëzit shkojnë paradite ndër varre. Ose më saktë shkojnë valë- valë. Një pjesë e mirë, shkojnë herët sepse duhet të kapin dhe ditën e punës. Pjesa më e madhe paradite rreth orës 11-13. Nga mesdita vjen një prift e mbahet një meshë. Mbahet meshë për të gjithë shpirtrat dhe shpirtrat e të gjithë të shenjtëve. Ka një vend të posaçëm thuajse në mes të varrezave katolike. Një pjesë e njerëzve mblidhen për meshë. Të tjerë vijojnë të rrinë te varret e familjarëve të tyre. S’ka zhurmë. Dëgjohen hapa, e folur e përvujtur e ndërthurur me njëfarë epizmi. Dëgjon shprehje e sjellje gati si ditë ngushëllimi. Nderohen shpirtrat, Krishti, dëshira është me pas jetë të pasosshme e në dritë. Pra nuk është festë. Është ditë për nderim, përkujtim, reflektim. Secili më së pari shkon te varri i familjarëve të vet. Varret në Kamëz janë thuajse të gjithë të rinj. Janë në moshën e ardhjes së banorëve në këto anë. Forma e tyre nuk ndeshet rëndom në Shqipëri. Janë kryesisht varre familjare. Disa janë ndërtuar në tokë dhe me një mbulojë mermeri, të tjerë janë gjysëm në tokë e gjysëm në sipërfaqe. Ka prej tyre në formë shtëpize. Është një traditë, e ndërthurur me mundësinë, shijen, besimet e të gjallëve. Mundet me pas edhe varre personale.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Njerëzit që vinë ndër varre nuk vinë duarbosh. Vinë me të dhanme për shpirt. Aty sillet raki, mollë, gështenja, bukë. Por ka dhe më, e këto duket se janë të dhanme të reja që vinë ndër varre. Sjellin portokaj, mandarina, karamele, biskota, edhe pije freskuese. Nganjëherë vijnë me cigare. Nganjeherë edhe e ndezin një cigare dhe e lënë te koka e një burri që e kishte pirë duhanin. Vijnë me lule. Me lule plastike. Njerëzit  i duan ngjyrat e qëndrueshmërinë e tyre. Pikërisht ato që unë s’i dua. Të gjitha këto vihen mbi varrin familjar apo personal. Të dhanmet për shpirt vihen mbi varre e në varr. Mbi varre kur varret janë të mbuluar me mermer dhe janë të shtrirë.  Në varr, kur varri është si shtëpizë. Njerëzit hyjnë aty brenda kur varri është shtëpizë. Nganjëherë njerëzit e dinë saktësisht dhe vendin ku do të varrosen vetë. E janë aty. Si shenjë që janë mes dy botëve. Janë në kalim. Kur varret janë të shtrira, dhe kanë ardhur disa anëtarë të familjes të kujtojnë të parin e familjes së tyre, ata vendosen kryesisht nga këmbët e të ndjerëve. Prandaj thuajse të gjithë janë me shikim nga perëndimi.  Si një përballje, dhe si një takim, mes dy botëve. Të gjallët e të përkohshmit përballë atyre që kanë ndërruar jetë. Në mes tyre lutja, kujtesa dhe ushqimi e pija. Një gllenjkë raki, një copë bukë, një përshëndetje ritualistike e shumë emocione e kujtime nëpër to. Kushdo që kalon pranë duhet të thotë një shprehje nëse e di: Paçin dritë! Ose – dritë paçin! e përgjigjia si mirënjohje vjen – gjithmonë e jetë.  Ose “kofshi e i kujtofshi! e tjetri – ashtu koftë! Ose në  forma tjera  edhe me më poetike, edhe më domethënëse.

Epilog

Në fshat kur ra diktatura, njërzit filluan të ri-ndiznin f i j e t  e të ndërtonin kishëza nëpër varreza. F i j e quheshin ato që do t’i bënin dritë shpirtrave në dy botët – ishin si qirinj të hollë. Kur fshati arriti të nderonte një kishëz ndër varreza, krahas f i j e v e kishte dhe një vend që t’i mblidhte të gjithë ato fije.  Fijet ndizeshin të gjitha së bashku, e të gjithë luteshin ballë tyre. Kur nuk kishin prift që t’ju printe në meshë, fshati zgjidhte më të moçmin të thoshte lutjen – Jepua Zot jetën e pasosshmeU shndrittë Drita e pambarueme! E bashkësia i përgjigjej me “Amin”.  Si tregon një mik i imi, Besimi, në fshatin e tyre, prifti  nuk mundi të shkonte ndonjëherë. Ende sot e kësaj dite nuk shkon. Ata që kanë m b e t ë atje, vazhdojnë ta bëjnë lutjen në këtë mënyrë.

Po ndalemi këtu. Etnografia mbi natën e të shumtëve, është një përpjekje me kuptu ato ditë që njerëzit mendojnë se dy botët afrohen, dialogojnë, përafrohen, por nuk takohen. Deri këtu mund të shkojmë, deri këtu kam mundur të shkoj.

Burimi /nyje.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *