Lajme

Nata e Bardhë/ Manastirliu-Veliaj i vënë shkelmin anti-Covid-it për “industrinë e qofteve”

Një reklamë propagandistike e Ministrisë së Shëndetësisë, se si ka “përballuar me sukses sfidën 20-mujore kundër Covid-19” është përhapur gjerësisht së fundmi në median televizive në vend.

Materiali promocional shoqërohet, natyrisht, me kërcënimin e qytetarëve se mos-zbatimi i masave kundër pandemisë, shoqërohet me pasoja të rënda shëndetësore.

Deri këtu, çdo gjë është brenda një lloj “normaliteti” shqiptar, ku qeveria po lufton me sukses kundër “armikut të padukshëm”.

Vetëm se këtyre publikimeve promocionale u vihet shkelmi nga vetë qeveritarët tanë.

Shembulli më tipik është “Nata e Bardhë”, një festë masive e zhvilluar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Mbrëmjen e 30 Nëntorit, mijëra të rinj, të etur edhe për një lloj lirie të jetës së natës, të ndrydhur nga masat kundër Covid-19, u dyndën në rrugët kryesore të qytetit.

Për ta nuk kishte masa anti-covid, pasi vetë Qeveria dhe Bashkia e Veliajt duhet të kenë bërë ndonjë pakt me virusin për këtë natë.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Realizimi i “Natës së Bardhë” duhej të kishte një lloj suporti ligjor e nënligjor. Dhe, për këtë ka menduar deri në detaje Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Festa e “Natës së Bardhë” ishte parashikuar nga Bashkia e Tiranës të zhvillohej në 29 Nëntor 2021, datën e “festës së çlirimit të Shqipërisë”.

Por, planet e Veliajt u zhvendosën pak në kohë, pasi Ogerta Manastirliu, ndoshta në mungesë të koordinimit me Bashkinë e Tiranës, vendosi në 12 Nëntor që “grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura ndalohen deri në datën 29 nëntor 2021”.

Ky urdhër ishte vijim i të ngjashmëve të tij të mëparshëm, afati i të cilëve u shtyhet periodikisht çdo dy javë apo çdo muaj.

Por, “rutina ndaluese” e Manastirliut i prishi punën Erion Veliajt për organizimin e “Natës së Bardhë”.

Dhe, Veliaj, një lloj “pelivani” propagandistik, i gjendur para urdhërit të Manastirliut, shpalli kumtin se “Nata e Bardhë” nuk do të zhvillohej në datën 29 Nëntor, por do të shtyhej me një ditë, në 30 Nëntor 2021.

Lexo më shumë  Kurti: Arianit Besiri në moshën njëvjeçare u detyrua të largohet nga Kosova, sot është kryetar i komunës Morbach në Gjermani

Shkak i kësaj zhvendosjeje, sipas Veliajt, ishte moti i keq. Natyrisht, tezgat e qofteve nuk mund të rrinin nën shiun e fund-nëntorit, sipas logjikës së kryebashkiakut të Tiranës.

Përfundimisht, “Nata e Bardhë”, së bashku me masivitetin e saj rinor, u zhvillua natën e së Hënës.

Çuditërisht, data 30 Nëntor 2021 ishte jashtë “urdhërit ndalues” të Manastirliut. Vendimi i saj i shtrinte efektet deri në datën 29 Nëntor.

Kështu që Veliaj ishte i lirë të organizonte festën e tij masive, ndërkohë që shumë vende të botës po forcojnë masat kundër pandemisë, madje disa prej tyre po ri-planifikojnë mbylljet e pjesshme apo të plota, si reagim për të mbrojtur popullatën.

Ndërsa në Shqipëri, lufta kundër pandemisë bëhet vetëm në materiale propagandistike qeveritare./Boldnews

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *