Opinion/Aktualitet

Narrativa “pro-amerikane” e opozitës: një analizë e diskursit politik, perceptimeve publike dhe faktorëve strukturorë

Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Abstrakt

Kjo ese analizon pretendimin politik — tashmë të shndërruar në narrativë elektorale — se një orientim i deklaruar “pro-amerikan” nga opozita mund të jetë faktor vendimtar për rikthimin e saj në pushtet në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Përmes një qasjeje analitike dhe krahasuese, trajtohen: (1) ndërtimi i diskursit pro-amerikan në politikën kosovare; (2) efekti real i tij në sjelljen elektorale; (3) raporti midis retorikës së partive opozitare dhe perceptimit të publikut; dhe (4) pritshmëritë reale në bazë të dinamikave strukturore politike dhe sociale.
Eseja argumenton se retorika pro-amerikane, ndonëse e rëndësishme në kulturën politike të Kosovës, nuk është vetvetiu determinant për fitimin e zgjedhjeve; suksesi elektoral varet nga performanca qeverisëse, besueshmëria institucionale dhe ndryshimet socio-demografike të elektoratit.

1. Hyrje

Në politikën e Kosovës, referenca ndaj Shteteve të Bashkuara ka funksionuar si burim legjitimiteti që nga paslufta. Kjo është dëshmuar nga studime të shumta të opinionit publik që konfirmojnë nivele të larta të besimit të qytetarëve ndaj SHBA-ve si aleati kryesor i sigurisë dhe pavarësisë së vendit.¹[1]

Narrativa politike “pro-amerikane” është element tradicional i politikës kosovare që nga vitet 1990, por përdorimi i saj si instrument i mbijetesës politike është intensifikuar pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe rënies së mbështetjes popullore për partitë tradicionale (LDK, PDK). Në fushatën e vitit 2025, opozita tentoi të rimarrë legjitimitetin e humbur duke artikuluar pretendime për afrim të posaçëm me administratën amerikane dhe duke interpretuar çdo takim dypalësh si ngjarje të përmasave strategjike. Kjo sjellje është identifikuar nga analistët si narrativë e brishtë dhe shpesh si tentativë për të maskuar mungesën e ofertave reale politike, duke u kapur pas simbolikës së marrëdhënieve me SHBA-në, në vend se të paraqesë programe konkrete qeverisëse.

Fenomeni është i krahasueshëm me aforizmën “i mbyturi në ujë kapet për kashte”, që në traditën shqiptare simbolizon veprimtarinë e dëshpëruar kur kapacitetet reale janë të ezauruara.

Në këtë kontekst, një pjesë e opozitës aktuale ka ndërtuar narrativën se “po nis koha pro-amerikane”, duke e interpretuar vizitën e Bedri Hamzës në SHBA si sinjal të mbështetjes ndërkombëtare për rikthimin e saj në pushtet. Madje, sipas kësaj paradigme, pezullimi i dialogut strategjik nga administrata amerikane për shkak të politikave të qeverisë aktuale shihet si përparësi taktike për opozitën.

Në protokollin e Shtëpisë së Bardhë rregullat janë strikte: Aty nuk pranohen kandidatë në fushata zgjedhore, madje as nga vendet mike.
Shih për këtë takimet zhvillohen kryesisht me përfaqësues shtetërorë, jo me individë a pretendues të posteve drejtuese.

Në postimet e afishuara në faqen e tij personale të rrjeteve sociale, B. Hamza shfaqet me zyrtarë amerikan, ku në diçitura përshkruan funksionet e tyre që nuk gjinden fare në organigramat zyrtare. [“Drejtor i Lartë në Shtëpinë e Bardhë”, “Ndihmës Special i Presidentit”, “Drejtor i Zyrës për Evropën Perëndimore e Qendrore në Departamentin e Shtetit,” …]

Pastaj media pro opozitës i jep jehonë të jashtëzkonshme kësaj vizite, ndërkaq figura politike, madje edhe nga nomenklatura e dikurshme e LDK-së, nuk ngurrojnë ta cilësojnë këtë vizitë si “fillimin e një kohe amerikane…” e tullumbace tjera të propagandës së viteve 90-të të shek. të kaluar.

2. Diskursi pro-amerikan në Kosovë: funksioni dhe evolucioni

2.1. SHBA si simbol i garantimit të sigurisë

Sipas Krasniqit (2020), perceptimi i SHBA-ve si “garant i ekzistencës së shtetit” ka krijuar një kulturë politike ku legjitimiteti shpesh identifikohet me afërsinë me aleatin strategjik. [2]

2.2. Retorika pro-amerikane e partive tradicionale

Partitë e establishmentit (PDK, LDK, AAK) historikisht e kanë përdorur këtë diskurs si instrument të konsolidimit pas qeverisjes së tyre shpesh të kontestuar, duke e paraqitur mbështetjen amerikane si provë të kredibilitetit të tyre ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, një pjesë e opozitës aktuale ka ndërtuar narrativën se “po nis koha pro-amerikane”, duke e interpretuar vizitën e Bedri Hamzës në ShBA si sinjal të mbështetjes ndërkombëtare për rikthimin e saj në pushtet. Madje, sipas kësaj propagande, pezullimi i dialogut strategjik nga administrata amerikane [pavarësisht se ai dialog as që kishte filluar] për shkak të politikave të qeverisë aktuale shihet si përparësi taktike për opozitën.Ky interpretim është sa jo real po aq edhe reduktues dhe jo i mbështetur në analiza strukturore të politikës kosovare. Retorika pro-amerikane nuk është faktor i mjaftueshëm elektoral — ajo duhet të shoqërohet me performancë qeverisëse të besueshme, me kauza reale politike, me koherencë programore dhe një raport stabil me qytetarët.

2.3. Revolucioni demokratik i 14 shkurtit 2021 dhe rikthimi i gjeopolitikës

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 në Kosovë u përshkruan nga shumë analistë si “shpërthim demokratik”, “ndryshim paradigme” dhe “revoltë qytetare e paartikuluar me dhunë” (Beha, 2021; Bieber, 2021). Përtej retorikës politike, këto zgjedhje shënuan një moment kthese në kulturën politikë të vendit, për shkak se sollën ndërprerjen e ciklit të pushtetit të partive tradicionale, çmitizimin e elitave të dala nga lufta dhe afirmimin e një modeli të ri qeverisjeje të bazuar në meritokraci, anticorupsion dhe llogaridhënie.

Për këtë arsye, 14 shkurt 2021 mund të kuptohet si revolucion i heshtur demokratik, sepse ndryshimi ndodhi pa konfrontim institucional, jashtë logjikës së fraksioneve dhe përmes një mobilizimi masiv qytetar që shprehu delegjitimimin moral dhe politik të klasës së vjetër.

2.3.1 Devijimi i vjetër elitist dhe shterimi i legjitimitetit

Sipas studjuesit kosovar Qerimit (2022), zgjedhjet e 2021 shënuan “demokratizim të elektoratit kosovar”, ku vota nisi të orientohej nga performanca e qeverisë dhe lufta kundër korrupsionit, e jo më vetëm nga diskurset e aleancave gjeopolitike. [3]
Nga viti 2000 deri më 2020, skena politike kosovare dominohej nga një establishment i qëndrueshëm i partive LDK–PDK–AAK, të cilat ndanë mes vete pushtetin politik lokal dhe qendror. Kjo solli krijimin e një sistemi klientelist, të përkufizuar nga shumë studime si “regjim hibrid me elemente të kapjes së shtetit” (Freedom House, 2020].

Modeli funksiononte mbi tri shtylla:

  • Kontrolli i punësimeve publike dhe burimeve komunale, veçanërisht përmes komunave dhe ndërmarrjeve publike.
  • Rrjetet klienteliste zgjedhore që siguronin vota në këmbim të favoreve.
  • Instrumentalizimi i luftës dhe patriotizmit për të shuar debatet mbi korrupsionin.

Sipas analistëve (Pula, 2021; Krasniqi, 2020), deri në 2020 ky model kishte humbur energjinë e vet: qytetarët kishin nisur ta përjetonin këtë sistem jo si vazhdimësi të shtetndërtimit, por si pengesë strukturore për zhvillim.

2.3.2 Llogaridhënia si kërkesë e re normative

Zgjedhjet e 2021 dëshmuan se narrativa e anticorupsionit, meritokracisë dhe qeverisjes së drejtë është kthyer në kërkesë themelore të shoqërisë. Kjo shënon shkëputje nga epoka e kompromisit me korrupsionin, të cilin Fukuyama e përshkruan si “simptomë të shteteve patrimoniale të mbetura” (Fukuyama, 2014).

Pikërisht këtu qëndron karakteri demokratik i revolucionit: qytetarët nuk votuan thjesht një parti përballë një tjetre, por votuan një model të ri qeverisjeje dhe një etikë të re politike.

Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 janë një revolucion i heshtur demokratik, sepse:

  • shënuan rrëzimin e establishmentit tradicional,
  • mobilizuan qytetarin në mënyrë rekord dhe paqësore,
  • legjitimuan një model të ri politik,
  • dëshmuan pjekuri demokratike të institucioneve,
  • krijuan një kulturë të re të llogaridhënies.

Ky revolucion nuk ishte i artikuluar si lëvizje, por ishte i brendshëm, qytetar dhe moral. Ai e transformoi politikën kosovare nga një sistem i kapur klientelist drejt një projekti të ri demokratik që ende është në zhvillim.

Gjasat që Revolucioni demokratik i 14 shkurtit të vitit 2021 në Kosovë të thellohet me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 janë krejtësisht reale. E para, koalicioni sociologjik i 2021 është ruajtur në tërësinë e tij. Diaspora ishte faktori vendimtar i revolucionit të 2021 – një fenomen i njohur në literaturën e migracionit politik si “external voting leverage”.
Më 28 dhjetor 2025 pjesëmarrja e diasporës pritet të jetë edhe më e lartë, rrjedhimisht tendenca do të jetë përsëritëse.
Rrjedhimisht, ekzistojnë gjasa reale dhe të konsiderueshme që Revolucioni Demokratik i 14 shkurtit 2021 të thellohet në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Disa nga parakushtet për këtë janë përmbushur tashmë:

  • Koalicioni sociologjik i 2021 të mbetet i gjallë;
  • Performanca në qeverisje është dëshmuar e qëndrueshme;
  • Shtrirja e sovranitetit në veri dhe mbrojtja e integritetit territorial të Republikës është fakt real;
  • Dialogu me Serbinë, pavarësisht masave të paarsyeshme që aplikoi BE-ja, nuk kanë prodhuar kosto politike të papërballueshme,
  • Opozita ka vazhduar të përballet me krizën e identitetit dhe nuk ka prodhuar dot alternativë reale.

Përmbushja e këtyre kushteve, më 28 dhjetor 2025 mund të prodhojë jo vetëm përsëritjen, por thellimine transformimit politik që filloi në 2021 – duke e përfunduar ciklin e tranzicionit të pasluftës në Kosovë dhe duke e vendosur vendin në një formë të re të politikës demokratike perëndimore të shekullit XXI.

2.3.3 Ballkani në vizionin strategjik të Rusisë: nga dështimi te rikthimi

Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, Moska pretendoi të luante rolin e mediatorit sllav, por në praktikë dështoi të imponojë rezultate të prekshme. Literatura e sigurisë (Hedges 2002; Lynch 2007; Trenin 2011) thekson se Rusia:

  • nuk arriti të ruante aleatin e saj kryesor, Serbinë, respektivisht nuk i përmbushte dot tutje kërkesat e saj hegjemone;
  • humbi ndikimin në Bosnje pas Marrëveshjes së Dejtonit;
  • u përjashtua nga arkitektura e re e sigurisë perëndimore në Ballkan;
  • u ndesh me realitetin e pranisë së përhershme të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Ky dështim historik shpjegon pse Putini – teksa ndërtonte narrativën e “Rusisë së ringjallur” – e konsideroi të domosdoshme rikthimin gradual në Ballkan pas vitit 2007.
Dështimin e saj për ta ruajtur praninë ruse në këtë rajon gjatë procesit të shkërmoqjes së Jugosllavisë, Putini nuk mund ta pranonte asesi si diçka të përhershme.
Për Rusinë, Ballkani, ashtu si Ukraina, vazhdon të shihet si një arenë ku mund të sfidohet rendi perëndimor i udhëhequr nga SHBA dhe BE.

Aktualisht, për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike, rikthimi i Rusisë në rajon nuk mund të jetë më i natyrës së drejtpërdrejtë, por vetëm hibrid, nëpërmjet ndikimit politik, mediatik, financiar dhe religjioz.

Ballkani i sotëm është shumë më i përputhur me logjikën euro-atlantike sesa me projektet neo-imperiale të Kremlinit. Për këtë arsye, ëndrra ruse për rikthimin e influencës në rajon mbetet e kufizuar
Megjithkëtë, ideologu rus Aleksander Dugin këtë rikthim e projekton si interes jetik rus dhe e lë të hapur si mundësi për periudha kohore më të përshtatshme.

“Në momentin që e mposhtim dhe e dëbojmë Perëndimin nga vetja jonë, do të rilindë bota e madhe ruse… me një Ide të re globale ruse.”[4]
Ky koncept i përmbledhur në këtë fjali të editorialit të fundit të Aleksandër Duginit, të publikuar tek portali Geopolitika.ru, ku ai paralajmëron se “nuk do të ketë as Ukrainë, as Federatë Ruse, por një botë të madhe ruse të rilindur”, përfaqëson formën më të pastër të eurasianizmit radikal, të cilin pretendon ta shtrijë tutje në Ballkan establishmenti serb me Vuçiqin apo pa të.

Sipas Thomas de Waal (Carnegie Europe), Azerbajxhani ndërtoi për 25 vjet një strategji të “pritjes aktive”: forcim të shtetit, investime të mëdha ushtarake dhe ruajtje të diskursit të rikthimit territorial.
Përgjatë gjithë kohës sa Serbia deklarativisht angazhohej për dialog me Kosovën, “modeli i Azerbajxhanit” përdoret për të legjitimuar diskursin se realiteti mund të ndryshojë nëse fuqia shtetërore rritet dhe konjukturat ndërkombëtare ndryshojnë (Bieber 2022).

Këtë fakt na e përforcon rikujtimi i vizitës së Vuçiqit para shtatë muajsh në Moskë, tok me kreun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, me ç’rast kërkoi me përgjërim nga patriku rus, Kiril dhe kryetari i Rusisë, Putin, që edhe serbët të jenë patjetër pjesë e Botës Ruse.

Ndërkaq aktualisht, kur lufta në Ukrainë po shkonë drejt përmbylljes së vitit të katërt dhe gjasat e përfundimit të saj në dobi të ruajtjes së integritetit territorial nga ana e Kievit duken minimale, rikthimi tek gjeopolitika, respektivisht tek vetvetja, i ka detyruar shtetet europiane pavarësisht se janë anëtarë të NATO-s, që të krijojnë aleanca të ngushta, rajonale, në fushën e sigurisë, madje edhe brenda sferës së interesit perendimor.
Pavarësisht këtij gjakimi strategjik, modeli i Azerbajxhanit nuk është i aplikueshëm në Kosovë.
E para, në Kosovë ekziston një garanci e drejtpërdrejtë kolektive (KFOR). Azerbajxhani nuk kishte fuqi ndërkombëtare mbrojtëse në terren.

E dyta, në Karabak, Azerbajxhani luftoi për territor të administruar nga armenët, por me kufij të qartë. Në Kosovë, Serbia nuk ka kontroll as në veri (pas 2023) dhe ka humbur instrumentet e influencës në institucione shtetërore dhe madje edhe në ato komunale.
Prandaj “Modeli i Karabakut” mbetet një mit strategjik që nxit shpresë për rikthim. Krahasimi është politikisht instrumental, strategjikisht jo realist.

2.3.4 Pakti i sigurisë mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebitvs “Botës serbe”

Rritja e tensioneve në Ballkanin Perëndimor pas luftës në Ukrainë dhe radikalizimi i politikës së jashtme të Serbisë nën Aleksandar Vuçiqin ka rindezur diskutimin për rrezikun e rikthimit të opsioneve ushtarake në Kosovë. “Plani serb” për rikthim në veri – i artikuluar në mënyrë të tërthortë përmes referencave ndaj modelit të Azerbajxhanit në Karabak – ka ngritur nevojën për një arkitekturë të re rajonale të sigurisë, e cila tejkalon dimensionet tradicionale të bashkëpunimit dypalësh.
Në këtë kontekst, një pakt i sigurisë mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit paraqitet si një mekanizëm strategjik për të balancuar ambiciet hegjemoniste serbe, për të kufizuar depërtimin rus dhe për të konsoliduar aleancën euroatlantike në rajon.
Në këtë proces rikthimi të gjeopolitikës Shqipëria dhe Kosova janë si një hapësirë strategjike e vetme.

Dy shtetet shqiptare përbëjnë tashmë një zonë të integruar strategjike:

  • një popullatë mbi 4 milionë,
  • dy ushtri që bashkëpunojnë intenzivisht,
  • një koordinim të doktrinës së sigurisë,
  • dhe një synim të përbashkët euro–atlantik.

Bashkimi i kapaciteteve të tona ushtarake gjithësesi krijon një forcë mbrojtëse më të koordinuar që do ta përballonte çfardo mësymje të Serbisë.

***

Hemisfera perëndimore, në kuptimin euro-atlantik, ndodhet në një zhvendosje të rëndësishme strategjike për shkak të: luftës së Ukrainës, rivalitetit të SHBA me Rusinë dhe Kinën, riformatimit të arkitekturës së sigurisë në Evropën Juglindore dhe kthimit të fokusit drejt Ballkanit për shkak të destabilizimit të qëllimshëm të Serbisë dhe ndikimit rus në rajon.

Në këtë kuadër, krijimi i aleancave të reja funksionale, si ajo mes Tiranës–Prishtinës–Zagrebit, është pjesë e një arkitekture të re sigurie në linjën Adriatik–Danub–Malet e Karpateve, e cila realisht zvogëlon hapësirën strategjike të Serbisë dhe praktikisht e nxjerr nga pozicioni që gëzonte dikur si “shtyllë gjeopolitike” e Ballkanit.
Në këto rrethana të reja Beogradi e ka të qartë se boshti shqiptaro-kroat është kundërpeshë strategjike e menduar mirë.

Sidoqoftë Serbia e ka tutje të vështirë ta pranojë se:

  • Shqipëria është vend kyç i NATO-s në Adriatik dhe në korridorin energjetik;
  • Kroacia është faktor i dorës së parë në BE dhe në NATO;
  • Kosova ka kapacitete të një partneri të sigurisë që po rriten (në koordinim me SHBA).

Këto rrethana kanë krijuar tashmë një realitet të ri, ku Serbia nuk mund të mendojë më në terma të rikthimit në Kosovë, qoftë sipas modelit të Donbasit, qoftë sipas modelit të Nagorno-Karabakut.

3. Retorika e re e opozitës: analiza e pretendimeve

3.1. “Koha e re pro-amerikane” si konstrukt propagandistik

Pretendimi se një vizitë formale e një lideri opozitar në Shtëpinë e Bardhë shënon ndryshim strategjik është i paqëndrueshëm. Vizita të tilla janë rutinë diplomatike dhe nuk përkthehen në favorizime elektorale.

Retorika që e paraqet këtë si “shenjë të rikthimit të opozitës në pushtet” është kampanjë narrative, jo analizë gjeopolitike.
Një analizë gjeopolitike sado sipërfaqësore do ta përmbyste këtë narracion të pretenduar të opozitës për të krijura momentum të ri politik.

Në rastin e Ballkanit, Washingtoni ndjek tri parime të pandryshueshme strategjike:

a) Stabiliteti rajonal si prioritet i sigurisë

Ky është aksi themelor, që nuk ndryshon as nga administrata Trump, as nga administratat demokrate.
Për SHBA, Ballkani është dhe mbetet zonë tampon ndaj ndikimit rus; rajon ku parandalimi i krizës kushton shumë më pak sesa menaxhimi i krizës; hapësirë ku investohet për ruajtjen e kredibilitetit të NATO-s.

Asnjë vizitë e një lideri opozitar nuk ndryshon këtë strukturë strategjike.

b) Mbështetje për institucionet, jo për individët

Washingtoni fton: kryeministra, ministra të jashtëm, liderë opozitarë, figura civile, përfaqësues të komuniteteve, sipërmarrës, akademikë, aktivistë.

Nuk është indikator politik preferencial, por instrument diplomatik për të mbajtur kontakt me spektrin e gjerë politik.

c) SHBA nuk ndërhyn drejtpërdrejt në proceset zgjedhore të shteteve demokratike

Kjo është e sanksionuar në: “Foreign Assistance Act”, në “Leahy Laws”, në “US National Security Strategy” (doktrina e mos-favorizimit të partive në zgjedhje).

Pra, çdo narrativë që e interpreton një takim si “mbështetje për fitoren e një partie” është politikë e brendshme, jo realitet strategjik. Përjashtim eklatant është ndërhyrja e elementëve të administratës aktuale për të mbështtur forcat e djathta ekstreme në vende të ndryshme të Europës. Të tilla forca politike, megjithatë, në Kosovë nuk ka.

3.2 Qasja e SHBA ndaj Kosovës në vitet e fundit (dimensioni meso-strategjik)

Pavarësisht dinamikave të brendshme, SHBA ka qëndrime të qarta:

a) Mbështetje e pakushtëzuar për sovranitetin e Kosovës

Kjo është linjë e pandryshueshme që nga 1999.

b) Presion konstant për dialog të detyruar me Serbinë

Në Washington ekziston konsensusi se: dialogu duhet vazhduar, çështjet e hapura duhet mbyllur, Serbia duhet larguar nga orbitat rusofile.

Kjo nuk lidhet me emrin e kryeministrit të Kosovës.

Secila parti në Kosovë i ka parasysh këto parakushte, ndërkaq kapitulli që kishte të bënte me ndarjen e Kosovës si kapërcim i dialogut në raport me statusin e minoritetit serb, me theks në veri të Republikës, tashmë konsiderohet i mbyllur. Shih për ktë, SHBA-të janë në përpunim të ofertave tjera për Serbinë që me gjasë prekin interesat e Malit të Zi dhe Bosnjës, e që do të garantonin largimin e Serbisë nga sfera e interesit rus.

Presioni amerikan në këtë momentum politik presioni për pozicionim të qartë gjeostrategjik nuk bie më vetëm mbi liderë të caktuar të rajonit, por edhe mbi oligarkët që ata kanë ngritur. Këtë më së miri e ilustron goditja që ka pësuar sektori rus i energjisë në Serbi.

c) Ruajtja e stabilitetit të veriut të Kosovës

Për SHBA veriu është pika më e brishtë e sigurisë, rrjedhimisht çdo qeveri në Prishtinë do të trajtohej njësoj në këtë aspekt.

Pra, asnjë takim politik në Uashington nuk ndryshon linjën strategjike të ndjekur nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni.

3.2. Perceptimi publik ndaj elitave të vjetra politike

Studimet e GAP dhe KDI (2023–2024) tregojnë se besueshmëria e partive tradicionale është ulur si rezultat i:

  • aferave korruptive,
  • rolit klientelist në pushtetin lokal,
  • mungesës së reformës reale të brendshme,
  • lidhjeve të vjetra me interesat jashtë-institucionale.[5]

Narrativa pro-amerikane nuk e zëvendëson këtë deficit të madh besueshmërie.

Shto kësaj edhe faktin se LDK-ja dhe në një masë të ndjeshme edhe segmente të veçanta të PDK-së dhe AAK-së vazhdojnë ta shohin Listën Serbe si partnere të mundshme, madje edhe tani kur epokës së Vuçiqit po i vie fundi, ndërkaq Edi Rama po i nënshtrohet një disiplinimi të rreptë, narrativa pro-amerikane metafoorkisht duket si një kashtë në të cilën kapet I mbyturi në ujë, me shpresë se do ta mbajë mbi sipërfaqe!

3.3. Vota e diasporës,  rinisë dhe elektoratit të paanshëm

Diaspora dhe votuesit e rinj janë dy blloqe vendimtare. Të dy grupet kanë treguar prirje për votim proteste kundër establishmentit, jo domosdoshmërisht identifikim me retorikën pro-amerikane të partive të vjetra.⁵
Pse është e mundur që vota e diasporës të ndihmojë VV-në që të arrijë gjakimin prej 50% + 1, që do t’i përgjigjej një referendumi politik?

  • Vota e diasporës ka qenë edhe më parë faktor me peshë — në zgjedhjet e fundit parlamentare, sipas rezultateve paraprake të diasporës, VV mori rreth 60% të votave nga diaspora;
  • Shtrirja e regjistrimeve të votuesve nga jashtë është shumë më e madhe tani: sipas të dhënave të fundit, në 2025 diaspora kishte rreth 104,924 votues të regjistruar për zgjedhjet parlamentare, shumë më tepër se në periudhat e mëparshme.[6]
  • Siç argumentojnë disa analistë, diaspora shpesh konsiderohet “vota e artë” — për shkak se ajo zakonisht ka mundësi më të mëdha për të votuar (kësaj radhe edhe duke qenë në vend, por natyrisht edhe duke shfrytëzuar të drejëtn e votimit përmes postës ose konsullatave nga ata që nuk do të udhëtojnë dot drejt Kosovës për pushime dhe festa të fundvitit), dhe është më e mobilizuar kur ndihen në situatë të rëndë politike apo kur ideali i tyre lidhet me ndryshim — gjë që mund t’i favorizojë Lëvizjen Vetëvendosje.
  • Nëse kombinon pjesëmarrje relativisht të lartë të diasporës + mobilizimin për ndryshim me një elektorat të paanshëm/një pjesë të rinisë — ekziston potenciali për një “hop” që mund të krijoj fare lehtë efektin e referendumit në dobi të VV-së.

Pra, ndryshimi i konfiguracionit demografik-votues, plus diaspora më aktive e më e madhe, së bashku me elektoratin “e ri” ose pendues, mund t’i japë VV-së një avantazh të konsiderueshëm — veçanërisht në një skenar kur elektorati brenda vendit është i lodhur, apatik, ose i ndarë.

Duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, sidomos dy-tri vitet e fundit, me theks veriun, por edhe përpjekjet e opozitës për ta bllokuar me çdo kusht krijimin e Qeverisë Kurti3, mobilizimin e dukshëm të diasporës dhe tendencën që diaspora të votojë mbi 50% për VV — skenari A (referendumi pro-VV) është lehtësisht i mundshëm.

Nëse VV arrin të kanalizojë mobilizimin e diasporës dhe të ruajë mbështetjen e rinisë/elektoratit të paanshëm, atëherë ka shanse reale që votat jashtë vendit të bëjnë dallimin krucial.

4. Pritshmëritë reale për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025

4.1. Faktorët që vlejnë vërtet

Nga literatura e shkencave politike (Lipset, Norris, Levitsky & Way)⁶ [7] del qartë se zgjedhjet në demokracitë hibride si Kosova përcaktohen nga:

  • performanca ekonomike dhe sociale e qeverisë,
  • lufta kundër korrupsionit,
  • stabiliteti institucional,
  • mobilizimi i votuesve të rinj,
  • fuqia e diasporës,
  • menaxhimi i krizave (energji, veri, siguri).

Afërsia me SHBA-të është element narrativ, por jo determinant i vetëm — sidomos kur asnjë parti në Kosovë nuk është “anti-amerikane”, gjë që ia heq narrativës vlerën diferencuese.

4.2. Kur retorika humb efektin?

Retorika pro-amerikane nuk funksionon si mjet mobilizimi kur:

  1. përdoret nga aktorë me kredibilitet të ulët publik,
  2. nuk shoqërohet me reformë të brendshme partiake,
  3. bazohet në simbolika, jo në programe qeverisëse,
  4. perceptohet si instrument i mbrojtjes së status-quo-së e korrupsionit.
4.3. A mund të fitojë opozita vetëm me këtë narrativë?

Bazuar në analizën e faktorëve të mësipërm: jo.

Narrativa pro-amerikane ka efekt te votuesit më tradicionalë, por elektoratet vendimmarrëse — diaspora, rinia dhe votuesit e pavarur — fokusohen te qeverisja reale, jo te retorika.

5. Përfundim

Narrativa e opozitës për “kohën pro-amerikane” dhe interpretimi simbolik i një vizite në Shtëpinë e Bardhë si sinjal mbështetjeje për rikthim në pushtet përbën reduktim politik dhe manipulim perceptimi. Ndërsa marrëdhëniet me SHBA-të mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën, mënyra se si përdoren politikisht mund të jetë jo vetëm e padobishme, por edhe kundër-produktive.

Pritshmëritë reale për zgjedhjet e 2025 asistojnë te faktorë strukturorë: besueshmëria, performanca, lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve funksionale. Pa këto elemente, asnjë narrativë pro-amerikane nuk mund të prodhojë fitore elektorale të qëndrueshme. Strategjia e SHBA mbetet institucionale, e parashikueshme, pro-Kosovës, anti-destabilizimit dhe neutral ndaj partive politike.

FUSNOTAT
  1. Shaw, D. (2019). US Influence and State-Building in Kosovo. Cambridge University Press.
  2. Krasniqi, G. (2020). “Statehood, Legitimacy and External Actors in Kosovo.” Journal of Balkan Studies, 12(3).
  3. Qerimi, Q. (2022). Democratic Transformation and Civil Society in Kosovo. Routledge.
  4. https://www.geopolitika.ru/article/direktiva-dugina-my-ne-smozhem-pobedit-na-ukraine-poka-ne-pobedim-i ne-izlechim-samih-sebya?fbclid=IwY2xjawOaalJleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFHU1RPZ2p3cHduTnJjU1g2c3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHgXw8P9fE0W9yHyTvg9JV4T37fYzONpCbF6gSO5va4GA-5AdX5ricWOpaqDX_aem_e_3Fgai4e47NPROPhszVPw
  5. GAP Institute (2023). Public Trust and Anti-Corruption Perceptions in Kosovo. Prishtinë.
  6. https://kosovofacts.com/pjesemarrja-e-kosoves-ne-samitet-e-komunitetit-politik-evropian/
  7. Vathi, Z. (2021). Diaspora Voting Patterns in the Western Balkans. European Policy Institute. Norris, P. (2011). Democratic Deficit. Cambridge University Press; Levitsky, S. & Way, L. (2010). Competitive Authoritarianism. Johns Hopkins University Press; Lipset, S. (1959). “Some Social Requisites of Democracy.” American Political Science Review.
YouTube player