Nagavci: Vetëm 7 nga 54 mësimdhënës e kaluan testin për licencë të avancuar
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se nga 54 mësimdhënës që i janë nënshtruar provimit për pajisje me licencë të avancuar vetëm 7 e kanë kaluar.
Këto deklarata Nagavci i ka bërë në konferencën e mbajtur të hënën ku ka folur për arritjet dhe sfidat gjatë vitit 2024.
Ministria e Arsimit në gusht të këtij vitit ka hapur mundësinë për aplikim për mësimdhënësit që duan t’i nënshtrohen provimit kualifikues për t’u pajisur me licencë të avancuar.
Ata mësimdhënës që e kalojnë tekstin sigurojnë edhe pagë më të lartë.
Për licencën e avancuar mund të aplikojnë vetëm mësimdhënësit të cilët janë të pajisur me licencë të karrierës dhe që kanë mbajtur së paku 200 orë për zhvillim profesional.
Ata më pas do t’i nënshtrohen vlerësimit edhe nga Inspektorati i Arsimit.
Shtatë vjet pasi ta marrin këtë licencë, mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencën e përhershme, e cila nuk ka afat kohor dhe nuk ka nevojë për ripërtëritje.
Në Ministri patën treguar se për licencë të avancuar mund të aplikojnë 750 mësimdhënës, të cilët i janë nënshtruar vlerësimit të performancës, proces i cili është zhvilluar nga viti 2018 deri më 2020, kur është ndërprerë për shkak të pandemisë.
Me Udhëzimin e ri Administrativ, të miratuar në qershor të vitit 2023, mësimdhënësit kanë tri lloje të licencave – ajo e karrierës, e avancuar dhe licenca e përhershme.
Licencën e karrierës mund ta marrë çdo mësimdhënës që kalon me sukses vlerësimin e performancës nga shkolla. Mësimdhënësi vlerësohet nga drejtori i shkollës, nga mësimdhënësit e tjerë dhe nga nxënësit. Kjo licencë ka afat shtatë vjet dhe duhet të ripërtërihet, pasi që mësimdhënësi i mban së paku 100 orë për zhvillim profesional. E pas kësaj, mund të aplikojë për licencë të avancuar.
Rruga Press