Nagavci takon homologun turk, diskutohet për heqjen e tarifave për studentët e Kosovës në Turqi
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka pritur në takimi homologun turk, Mahmut Özer, me të cilin bisedoi për avancimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se nga ministri ka kërkuar ndër të tjera, që të hiqen tarifat e studentëve të Kosovës të cilët studiojnë në Turqi për çka mori premtim se kjo çështje është duke u shqyrtuar.
“Bashkëpunimi në arsim dhe aftësim profesional dhe në fushën e arsimit të lartë, digjitalizimi në këtë sektor, shkëmbimet e nxënësve e studentëve, zhvillimi profesional i mësimdhënësve ishin disa nga çështjet me rëndësi që i diskutuam”, thuhet në postimin e ministres.
Nagavci shkruan se “Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi të përkushtuar për ofrimin e mundësive të barabarta për secilin shtetas. Këtë vit janë përkthyer tekstet nga gjuha shqipe edhe në gjuhën turke dhe boshnjake, ashtu si dhe po ofrojmë mbështetje për fëmijët e grupeve të margjinalizuara”.
Ajo shtoi se ka kërkuar që të hiqen tarifat e studentëve nga Kosova të studiojnë në Turqi.
“Nga ministri kërkova ndër të tjera, që të hiqen tarifat e studentëve të Kosovës të cilët studiojnë në Turqi për çka mora premtim se kjo çështje është duke u shqyrtuar. Diskutuam për planet e përbashkëta që pritet të konkretizohen me një marrëveshje të bashkëpunimit mes dy shteteve me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, arsimit të lartë, si dhe programet e shkëmbimit të studentëve e profesorëve”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, në kuadër të kësaj vizite, bashkë me ministrin Özer gjatë ditës kanë vizituar edhe shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Elena Gjika” në Prishtinë, në të cilën mësimi zhvillohet edhe në gjuhën turke.