Nagavci: Statuti i ri i UP-së do të sjellë reforma që ndikojnë në rritjen e cilësisë
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport shqyrtoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Statutit të ri të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”.
Në këtë komision ka marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe rektori i UP-së, Qerim Qerimi.
“Ky statut po rishikohet pas 12 vitesh. UP me sa jam e njoftuar ka themeluar edhe grupin punues që ta përgatisë draft-statutin e ri. Pa u ndal në aspektin përmbajtësor, kjo ka qenë një nga pikat kryesore të programit të rektorit Qerimi që ne e kemi mbështetur. Jemi të lumtur sepse kjo do të sjellë një mori reformash që do të ndikojë në cilësi të mirë në arsim. Sa i përket emrit, unë do ta respektoj draftin për statutin që e ka sjellë Universiteti, konsideroi se në këto momente duhet të jemi të kujdesshëm dhe përgjegjshëm për performancën e UP-së në rangun ndërkombëtar. Ne këto momente ne duhet t’i bëjmë këto hapa”, tha Nagavci.
Sa i përket statutit të ri të Universitetit, rektori Qerimi tha se ka pasur përpjekje edhe me herët që ky statut të ndryshojë.
“Ka pasur përpjekje konstante që ky statut të ndryshohet edhe me herët. Ka 12 vite që kur ky statut është miratuar. Ne duhet të reflektojmë mbi ambiciet dhe aspiratat tona. Statuti duhet të ndryshojë dhe plotësohet, ka pasur nevojë edhe më herët që të ndryshojë. Kushtetuta ka ndryshuar, edhe kjo është një çështje që duhet të ndryshojë sa herë që institucioni e vlerëson të nevojshme. Ekspertët tanë janë përqendruar në ndryshimet që kanë bërë edhe universitete tjera dhe ne do të lëvizim duke ndjekur këto modele”, tha ai.
Rruga Press