Nagavci jep lajmin: Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit në detyrë, Arbërie Nagavci, e cila tha se kjo tregon se Agjencia i ka plotësuar standardet më të larta të cilësisë së arsimit të lartë.
“Ky sukses është një hap i madh për Kosovën duke garantuar se diplomat e studentëve tanë do të njihen me lehtë dhe më shpejt falë përkushtimit dhe standardeve të larta që ofrohen përmes anëtarësimit në EQAR”- ka thënë ajo.
EQAR është institucioni më i lartë europian që regjistron agjenci të cilat veprojnë në përputhje me standardet europiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë (ESG).
Në vitin 2018, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga EQAR, për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj Agjencie që ishte bërë me kërkesë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Kjo organizatë kishte konsideruar se AKA ka humbur mundësinë të veprojë si e pavarur pas asaj ndërhyrjeje politike.
Rruga Press

