Nafta “bie poshtë” nga paralajmërimet e Pekinit për COVID-19
- Testim masiv për COVID për rajonin e Chaoyang të Pekinit
- Të dhënat e inflacionit në SHBA rrisin frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të normave të interesut
- Trazirat përgjysmojnë prodhimin e naftës në Libi.
Nafta ra më shumë se 2 dollarë të hënën, pasi një rritje e re rastesh me COVID-19 në Pekin rrënoi shpresat për një rritje të kërkesës kineze; nga ana tjetër u shtuan shqetësimet për më shumë rritje të normave të interesit për ta kontrolluar inflacionin e shfrenuar.
Sipas Reuters, transmeton Rruga Press, distrikti më i populluar i Pekinit Chaoyang njoftoi tre raunde testimi masiv për të zbutur shpërthimin “e egër” të COVID-19.
Shqetësimi për rritjen e mëtejshme të normave të interesut, për shkak të të dhënave të fundit të inflacionit në SHBA, rëndoi gjendjen mbi tregjet financiare.
Nafta e papërpunuar Brent ra 2,34 dollarë ose 1,9 për qind në 119,67 dollarë në orën 0815 GMT, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor të SHBA-së ra 2,36 dollarë ose 2 për qind në 118,31 dollarë. (shifrat ndryshojnë por tendenca është të ulet edhe më shumë)
“Rënia aktuale e çmimeve përkeqësohet nga paralajmërimet për një përhapje ‘të egër’ të virusit COVID në Pekin, siç thonë zyrtarët, duke hedhur dyshime mbi rimëkëmbjen e menjëhershme të kërkesës,” u shpreh Tamas Varga nga ndërmjetësi i naftës PVM.
Nafta pësoi rritje të madhe në vitin 2022 pasi pushtimi rus i Ukrainës krijoi shqetësime për furnizim, ndërsa kërkesa për naftë u rikuperua nga bllokimet e COVID. Brent arriti në 139 dollarë, më i larti që nga viti 2008, në mars dhe të dy standardet e naftës u rritën me më shumë se 1% javën e kaluar.
Aksionet ranë në Azi dhe shkaktuan humbje të hershme në Evropë pasi të dhënat e së premtes që tregojnë se indeksi i çmimeve të konsumit në SHBA u rrit 8.6% muajin e kaluar vazhdoi të rëndojë në tregjet financiare.
Të dhënat i vendosën tregjet në alarm se Rezerva Federale mund të shtrëngojë politikën për një kohë të gjatë dhe të shkaktojë një ngadalësim të dhimbshëm ekonomik. Vendimi tjetër i politikës së Fed është të mërkurën.
Rruga Press