Muriqi i fiton zemrat e tifozëve të Mallorcas
Futbollisti i transferuar nga Lazio në Mallorca, Vedat Muriqi, ka filluar të ketë ndikim të menjëhershëm te Mallorca. Lojtari ka shënuar gol dhe ka dhuruar asiste në dy ndeshjet e tij të para në La Liga duke bërë kështu një nisje të përsosur.
Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës ka rrëmbyer menjëherë zemrat e tifozëve, të cilët kanë gjetur heroin e tyre për pjesën e mbetur të sezonit.
Gjatë sfidës së mbrëmjes së djeshme, një grup tifozësh kanë hapur një banderolë në tribuna. “Ishulli i piratit“, shkruhet në të së bashku me emrin e Vedat Muriqit, si dhe një imazh i sulmuesit duke festuar.
Muriqi ka zhvilluar një tjetër paraqitje fantastike me skuadrën e Mallorcas ku ka dhënë dy asiste mbrëmjen e së hënës.
Pas përfundimit të këtij dueli, La Liga duartroket performancën e shtatlartit në faqen zyrtare.
“Vedat Muriqi ishte përsëri gjigant“, shkruan faqja zyrtare e La Ligas në “Twitter”.
Ky i fundit në 90 minuta lojë krahas asisteve, ka fituar shtatë duele ajrore si dhe ka dhënë 15 pasime të mira për shokët e skuadrës.
Rruga Press