Murati: Rritja e pagës mesatare demanton gjithë propagandën
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaurar se rritja më e madhe e pagës mesatare ka ndodhur në vitet 2023 me 9.4% dhe 2022 me 7.6%, pra dy vitet e Qeverisë Kurti dhe kjo demanton gjithë propagandën që kemi dëgjuar lart e poshtë nëpër studio televizive nga opozita, duke thënë se s’ka pasur rritje të pagave.
“ASK dje ka publikuar pagën mesatare për vitin 2023 në Kosovë. Grafikoni më poshtë paraqet pagën mesatare bruto nëpër vite, përfshirë edhe vitin 2023, të publikuar nga ASK. Ajo çfarë vërehet është se: Paga mesatare bruto, për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat, në 3 vitet e fundit është rritur për 104 euro, përderisa në qeverisjet e kaluara për 7 vite ishte rritur vetëm 94 euro. Rritja më e madhe e pagës mesatare ka ndodhur në vitet 2023 me 9.4% dhe 2022 me 7.6%, pra dy vitet e Qeverisë Kurti. Kjo demanton gjithë propagandën që kemi dëgjuar lart e poshtë nëpër studio televizive nga opozita, duke thënë se s’ka pasur rritje të pagave”, ka shkruar Murati në ‘Facebook’.
Sipas tij, miti se me qeveritë e kaluara rriteshin pagat për të gjithë, bie përfundimisht. “Përderisa është e vërtetë se në vite të caktuara kishte pasur rritje të pagave në sektorin publik me vendime në kohë fushate zgjedhore, të dhënat e dëshmojnë se kjo rritje ishte bërë në kurriz të sektorit privat. Kjo gjë shihet qartë në vitin 2014, kur pagat në sektorin publik ishin rritur me vendim qeveritar gjatë fushatës, mirëpo mesatarja në tërë ekonominë, përfshirë sektorin publik dhe privat, ishte rritur vetëm 4.4%”, tha Murati.
Rruga Press