Murati: Do ta zbatojmë ligjin për pagat e grevistëve
Në ditën e fundit të afatit që punëtorëve të sektorit publik me kontratë parashihet t’u ekzekutohen pagat, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka përsëritur se do ta zbatojnë Ligjin për greva.
“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë Murati për KP-në të mërkurën.
Qeveria deri tani ka arsyetuar mospagesën me nenin 18 të Ligjit për greva. Ky nen parasheh që “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”. Pika mbi pagesën dhe detyrimin është precizuar në ndryshimin e ligjit që është bërë në vitin 2012.
Gjatë kësaj periudhe, Qeveria u shpreh se s’do t’i paguajë mësimdhënësit grevistë. Më 4 tetor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci propozoi pagë avancë për mësimdhënësit, si kompensim për zëvendësim të orëve me ndryshim të kalendarit shkollor.
Rruga Press