Murati akuzon opozitën: Britmat s’i kanë as për qytetarin e as për shtetin
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën në Kosovë se nuk e ka hallin e qytetarit e as të shtetit, pasi Komuna e Prizrenit dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronë.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, të premten ka dërguar në Kushtetuese ligjin që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët. Ai ka thënë se ky nen parasheh ndërhyrje në kompetencat e komunave dhe se me këtë ligj dëmtohen vetëm komunat duke ua zvogëluar buxhetin. Murati, në anën tjetër, ka përsëritur se me ligj vetëm është mundësuar falja e 100 eurove dhe se është në duart e komunave të vendosin nëse duan t’ua falin këtë shumë qytetarëve apo jo.
“Për ligjin që e kishin miratuar vetë më 2018, ligj i cili parashihte vlerësimin e pronave sipas tregut, dhe që parashihte që përveç tatimit në objekte, të fillonte edhe të llogaritej tatimi në tokë me 100% të vlerës në vitin 2023, tentuan t’ia hedhin fajin qeverisë sonë. Thanë se qytetarit po i vihej barrë e papërballueshme, dhe se po të ishte në dorën e tyre, do ta lehtësonin këtë barrë. Qeveria Kurti e bëri këtë të mundur duke miratuar ndryshimin e Ligjit për Tatim në Pronë, ashtu që secila komunë të kishte mundësinë të falte faturat deri në 100 euro për vitin 2023, për të gjithë tatimpaguesit. Dhe, çfarë bëjnë tash ata që para 6 muajsh ‘qanin hallin e qytetarëve’? E dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Pra, po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas Muratit, veprimi i opozitës “është i kotë”.
“Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata ‘do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese’. Por kjo nuk pin ujë”, ka shtuar ministri.
Ai ka përsëritur se ligji tashmë është në fuqi dhe se data 15 shtator 2023 është e fundit që komunat të vendosin për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit.
Rruga Press