KryesoreLajme

Mundësitë e investimeve japoneze në Kosovë, Gashi në Japoni takon përfaqësues të Federatës së bizneseve

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Japoni, ka takuar përfaqësues të institucioneve japoneze, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha kyç, veçanërisht në fushën e tregtisë, të ekonomisë dhe të investimeve.

Në njoftimin për media thuhet se Gashi ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në “EXPO 2025”, një mundësi për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe një platformë për të krijuar ura të reja të komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet botës së zhvilluar dhe potencialit të saj për zhvillim të qëndrueshëm.

Lexo më shumë  "Më është hequr veshka dhe kam një plumb në shtyllën kurrizore" - Milan Vukashinoviq nga Leposaviqi tregon si u rrëmbye

Në kuadër të kësaj, zëvendësministrja Gashi zhvilloi takime të veçanta  me drejtorin menaxhues të Federatës së Bizneseve në Japoni, KEIDANREN, Ichiro Hara, presidentin e Organizatës Japoneze për Tregtinë e Jashtme, JETRO, Susumu Kataoka, si dhe me drejtorin e përgjithshëm të Departamentit për Lindjen e Mesme dhe Evropën të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Kei Toyama, JICA.

Temë e përbashkët e këtyre takimeve ishte pjesëmarrja e Kosovës në “EXPO 2025”,  si edhe mundësitë e investimeve japoneze në vend.

Zëvendësministrja Gashi vuri në pah mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, duke theksuar përparësitë dhe potencialin që vendi ofron për zhvillim të biznesit. Ajo theksoi mundësitë e bashkëpunimit në sektorë strategjikë, duke përfshirë teknologjinë, turizmin, energjinë e ripërtëritshme dhe prodhimin industrial.

Lexo më shumë  Shumica parlamentare ka legjitimitet kushtetues, bllokadat bien ndesh me demokracinë

Në njoftim tutje thuhet se zëvendësministrja Gashi po ashtu, i njoftoi bashkëbiseduesit për vlerësimet pozitive që i janë bërë Kosovës nga indekset ndërkombëtare lidhur me cilësinë e demokracisë sonë të re, për nivelin e lirive civile dhe të drejtave politike, lirinë e shtypit, progresin në sundimin e ligjit, por edhe për progresin ekonomik dhe përparimet e shpejta teknologjike dhe hapjen e Kosovës ndaj inovacioneve digjitale.

Zëvendësministrja Gashi i ka ftuar përfaqësuesit e bizneseve japoneze dhe të agjencisë për bashkëpunim ndërkombëtar që ta vizitojnë Kosovën, që t’i  shohin nga afër mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe të investimeve në Kosovë, duke e fuqizuar  më tej marrëdhënien e shkëlqyeshme që kanë dy vendet tona.

YouTube player