“Mund të ketë dhe sanksione ndaj Serbisë”/ Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë sot në PE situatën në veri të Kosovës
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi sot se Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë në seancën plenare të PE rreth situatës në veri të Kosovës.
Në lidhje me çështjen, gazetarja Erisa Zykaj raporton nga Brukseli se tensionimi i situatës në veri bëri që Parlamenti Evropian të fusë sot me urgjencë në rendin e ditës çështjen e Kosovës.
Josep Borrell do të mbajë pasditen e sotme një konferencë për shtyp ku do të njoftojë nëse ka mundur të arrijë dakordësi për datën e takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kjo është hera e dytë që BE-ja dhe KFOR-i sinkronizohen për papranueshmërinë e dhunës në veri të Kosovës dhe për faktin që çështja duhet të zgjidhet me dialog mes dy vendeve.
“Të gjithë bëjnë thirrje që zgjidhja nuk është në rrugë, kërkohet rivendosje e dialogut menjëherë përmes Borrellit”, raporton Erisa Zykaj nga Brukseli.
E pyetur se çfarë e pret Serbinë, Zykaj tha se Beogradin e pret ndëshkimi.
Serbia po mundohet të tensionojë situatën deri në mars të 2023-it, sepse propozimi nuk është në favor të Serbisë, por në favor të Kosovës.
Për gazetaren Erisa Zykaj, mbledhja e sotme e Ministrave të Jashtëm të BE-së mund të dalë edhe me sanksione ndaj Serbisë. Sipas saj duket se ka një ndryshim në qëndrimin e BE-së ndaj Serbisë, sidomos pas sulmit të serbëve në veri të Kosovës ndaj EULEX-it, që është edhe forca policore më e madhe e Bashkimit Europian.
Sipas Zykajt, ‘është koha që Josep Borrel të flasë qartë, por gjithashtu i është kërkuar që të jetë i shkoqur me sjelljen që ka bërë Serbia deri tani. Është hera e parë që BE thotë se këto gjëra nuk i tolerojmë. Mund të ketë dhe sanksione. Qeveria e Kosovës ka kërkuar që të dënohen me sanksione, sidomos disa persona serbë në veri të Kosovës që mendohet të kenë rekorde kriminale’.
Për të, Serbinë e pret ndëshkimi. ‘Serbia, me informatat që kemi deri tani, do të mundohet ta tensionojë situatën deri në mars 2023, sepse projekti franko – gjerman nuk është në favor të Serbisë, por në favor të Kosovës, sepse nuk lejohet cënimi i territorialitetit, i sovranitetit të Kosovës. Serbia është në krahun e agresorit, e ka humbur mbështetjen’. Sipas gazetares, ‘BE-ja e ka ndryshuar qendrimin ndaj Serbisë dhe në deklaratën e Tiranës është kërkuar që vendet të cilët nuk e kanë dënuar sulmin e Rusisë në Ukrainë duhet ta bëjnë këtë. I është dhënë kohë për sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Tani po shihet që Serbia është shkaktarja e trazirave në Kosovë’.
Rruga Press