Muja: Kompania e Shkëlqim Devollit tregtonte energji elektrike në Serbi kur Kosova importonte energji gjatë krizës
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mbajtur sot një konferencë për media. Deputeti Armend Muja, ka shpalosur disa kontrata, që sipas tij, janë nënshkruar nga ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi me disa operatorë në Serbi.
Muja në konferencë deklaroi se nga viti 2020 ka pasur rënie të kontratave të negociuara, ndërsa tha se Thaçi kishte bërë kontrata me operatorët e Serbisë, për eksportimin e energjisë elektrike në Serbi. Gjithashtu, ai tha se po ndodhë një betejë për tepricat e KEK-ut.
“Në vitet e fundit, nuk importohet energji nga Serbia. Ka qenë rezistencë e mafisë energjetike të Serbisë me rikhty tregun e Kosovës, të cilën e ka humbur. Ne eksportojmë po ashtu energji, ka pasur eksportim në Serbi, Danimarkë dhe Shqipëri. Beteja për tepricat e KEK-ut, 2013-2018 kemi pasur dominim të Serbisë. Nga viti 2020 Serbia nuk është destinacion për tepricat e KEK-ut. Gjithë kjo energji është bërë përmes kontratave direkte, të cilat janë nënshkruar nga Njazi Thaçi”, deklaroi ai.
Në konferencë, Muja foli edhe për përfshirje të biznesmenit Shkëlqim Devolli në çështjen e tepricave të KEK-ut, të tregtuara me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ka një betejë rreth tepricave dhe një nga komapintë quhet ‘Future Energy&Trading’ apo në emrin tregtar ‘Fuente Dynamics’. Sado që kompania është kamufluar përmes Fatbardha Bytyqit, ish-drejtoresha e KOSTT-it të Shqipërisë dhe vëllait të saj Admirit apo djalit të saj Geardit, në fakt kur e kemi analizuar burimin, ajo del të jetë firmë e Shkëlqim Devollit. Pra, nga viti 2017 dhe në teprica të KEK-ut është i angazhuar këmbë e krye edhe Shkëlqim Devolli. Dhe gjithë debati që e njihni është një përplasje e ‘FUENTE Dynamics’, e cila është po ashtu një nga kompanitë që ka tregtuar energji elektrike me Serbinë. Dua t’ju informoj që po kjo kompani në vitin 2020, pas rënies së Qeverisë Kurti, përmes kryeshefit të Ibër-Lepencit, Berat Lushtaku, ka nënshkruar po ashtu kontratë njëburimore dhe përderisa Kosova ka qenë duke importuar energji elektrike gjatë krizës, e njëjta kompani ka shitur energji elektrike në Serbi dhe Maqedoni. Është kompani e Shkëlqim Devollit” tha deputeti Armend Muja.
Rruga Press