Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin te fëmijët
Shtatori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin te fëmijët. I njohur nga organizatat e kancerit te fëmijët në të gjithë botën, qëllimi i tij është të rrisë ndërgjegjësimin dhe të mbledhë fonde për ata që preken nga sëmundja.
Ky muaj është gjithashtu një mundësi për të njohur mbështetjen vendimtare që këshilltarët, psikologët, punonjësit socialë dhe profesionistë të tjerë u japin fëmijëve me kancer dhe familjeve të atyre fëmijëve.
Në nivel global, një fëmijë diagnostikohet me kancer çdo tre minuta dhe vlerësohet se 180 mijë raste të tjera nuk diagnostikohen çdo vit. Ndërsa, në mbarë botën, rreth 400 mijë fëmijë dhe adoleshentë diagnostikohen me kancer çdo vit.
Llojet e kancereve që shfaqen më shpesh te fëmijët janë të ndryshme nga ato që shihen te të rriturit.
Kanceret më të shpeshta të fëmijët janë:
- Leukemia,
- Tumoret e trurit dhe palcës kurrizore, Neuroblastoma (indet nervore rriten jashtë kontrollit),
- Limfoma,
- Kanceri i kockave.
Llojet e tjera të kancerit janë të rralla te fëmijët, por ndodhin ndonjëherë. Në raste shumë të rralla, fëmijët madje mund të zhvillojnë kancere që janë shumë më të zakonshme te të rriturit.
Për të mësuar më shumë rreth sëmundjes së kancerit te fëmijët, përgjegjësisht leukeminë Telegrafi zhvilloi një intervistë me Dr. Violeta Grajçevci Uka, Drejtoreshë e Klinikës Pediatrike.
Doktoresha tregon se lloji më i shpeshtë i kancerit që prek fëmijët është leukemia: “Llojet e kancerit te moshat pediaterike janë të ndryshme. Për qindja më e lartë mbetet leukemia, pastaj janë tumoret e trurit, tumoret e gjëndrave limfatike, tumoret solide (tumoret e veshkave, abdominal, mëlçisë) dhe disa lloje të kancereve të eshtrave”.
Llojet e shkaqeve që çojnë deri te kjo sëmundje?
“Deri tani nuk ka një shkak të sigurt, mendohet se ekzistojnë faktorë të ndryshëm që e iniciojnë sëmundjen. Faktorë të tillë janë faktorët gjenetik, pasi që prindërit e fëmijëve që kanë pasur persona të sëmurë me sëmundje malinje në familje, kanë më shumë mundësi ta trashëgojnë sëmundjen. Ndërsa faktorë të tjerë janë ata të jashtëm dhe kimik”, thotë ajo.
Tutje, doktoresha tregon se si zhvillohet leukemia, lloji më i shpeshtë i kancerit te fëmijët.
“45 deri në 50 për qind të rasteve me kancer te fëmijët janë me sëmundjen e leukemisë. Ato shfaqen në forma të ndryshme. Simptomat më të shpeshta janë: Anemia, trombocitopenia, shenjat e kuqe në trup, rritja e gjëndrave limfatike dhe lodhja e pa shpjegueshme. Mirëpo, ajo përkujton se shpesh sëmundja nuk vërehet pa analiza laboratorike, ndaj duhet të bëhen kontrolle të rregullta”.
Në vazhdimësinë e bisedës me Telegrafin, hematologia tregon mënyrat e trajtimit dhe pasojat e mundshme nga to.
“Format e trajtimit janë: Kimioterapia, kimioterapia dhe radioterapia ose në rastet më të rënda dërgohen për transplantim të palcës kockore. Këto trajtime shpesh kanë edhe disa pasoja. Për shembull kimioterapia nuk di të dalloj qelizat patologjike nga ato të shëndosha dhe shpesh duhet të merren derivate të gjakut”.