MPB: Jemi të angazhuar aktivisht në Monitorimin e Urdhrave Mbrojtës
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, thotë se është angazhuar aktivisht në krijimin e kapaciteteve të nevojshme mbi realizimin e Monitorimit Elektronik të Urdhrave Mbrojtës siç parasheh legjislacioni në fuqi.
“Me mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës me ndarjen e mjeteve të nevojshme buxhetore për këtë projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, në dhjetor të vitit 2024, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës është lansuar ky projekt. Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që bien në kompetencën e saj duke përfshirë trajnimin e personelit policor si dhe ka funksionalizuar sistemin në të gjitha Drejtoritë Rajonale të saj”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas kësaj ministrie, Monitorimi Elektronik i Urdhrave Mbrojtës ekzekutohet nga Policia e Kosovës pas pranimit të aktvendimit të Gjykatave.
“Me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, që nga lansimi dhe aktivizimi i sistemit të monitorimit elektronik, sipas të dhënave zyrtare, janë lëshuar 8 aktvendime nga Gjykatat përkatëse në Republikën e Kosovës dhe Policia e Kosovës është duke i zbatuar të njëjtat. Duke vlerësuar faktin se Policia e Kosovës është në gatishmëri me kapacitete të plota të zbatojë aktvendimet e Gjykatave për monitorim elektronik të urdhrave mbrojtës, inkurajojmë Gjykatat që të ndërmarrin këtë vendim pa asnjë hezitim, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në reagim dhe parandalim duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sigurinë e viktimave të dhunës në familje”, thuhet në këtë njoftim.
Rruga Press