Mozaiku i Bylisit që nga shekulli i VI
Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Ai shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.
Teatri i Bylisit është një nga monumentet më të mëdha të kësaj qendre arkeologjike, i cili është ndërtuar në fillim të shekullit të 3-të para lindjes së Krishtit dhe ka një kapacitet prej 7500 vendesh, që do të thotë që ka qenë një nga veprat më të mëdha të kohës. Një nga mozaikët e zbuluar një vit më parë në qytetin antik Bylis, daton në shekullin VI. Parku arkeologjik Bylis është një nga sitet unik në Shqipëri, për densitetin e lartë të monumenteve me mozaik.1 nga 2
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, kalaja e Petrelës, Tiranë, kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.
HISTORIKU I QYTETIT ANTIK TE BYLISIT
Qyteti Ilir i Bylisit i vendosur në pllajën e një kodre pran fshatit të sotëm Hekal dikur shtrihej në një sipërfaqe prej 30 ha, e cila mbrohej nga një mur rrethues me gjatësi 2.2 km, gjerësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m, i cili ende sot ruhet relativisht mirë. Muri rrethues ishte pajisur me hyrje dhe kulla të shumta mbrojtëse. Nga shekulli IV para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri një shekull më vonë, u ndërtuan disa prej veprave më madhështore të qytetit, ku përmenden teatri, stadiumi, depozita e ujit, banesa të ndryshe, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot. Bylisi i vjetër ishte i ndarë në tre zona, dhe u ndërtua në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit.
Nga ai shkëlqim i së shkuarës, spikasin rrënojat e teatrit 7500 vendësh, të cilat të mundësojnë një udhëtim të bukur në historinë dhe arkitekturën e qytetit. Teatri përbëhej nga 40 shkallare, dhe sot mund të shikohen ende disa ndenjëse prej guri, muret mbajtëse të teatrit apo bazamenti i orkestrës. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike. Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin, ai ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek III p.K. Për ndërtimin e teatrit është zgjedhur këndi juglindor i agorasë, ku ngritja e menjëhershme e terrenit jepte mundësi për shfrytëzimin e shpatit për ndërtimin e shkallareve. Edhe nga stadiumi i Bylisit mund të vërejmë 19 shkallë prej guri, që e bëjnë pas Amantias stadiumin e dytë më të mirëmbajtur nga antikiteti në Shqipëri. Krahas objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta.
Gjatë shekullit V pas Krishtit nisën të ndërtoheshin disa kisha, rrënojat e të cilave sot përbëjnë disa nga dëshmitë më të rëndësishme paleokristiane në Shqipëri. Deri më sot janë zbuluar disa të tilla, si brenda mureve rrethuese të qytetit, ashtu edhe jashtë tyre.